Kurti mbledh me urgjencë Këshillin e Sigurisë; Policia bastis Zubin-Potokun
Serbia tenton të lërë Kosovën pa ujë dhe drita
Strukturat kriminale serbe dhe terroristët me lidhje politike direkte në Beograd, kanë orkestruar mbrëmjen e djeshme një sulm që nuk ka asnjë dallim nga ajo që po bën Rusia në Ukrainë.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, me fillim në 01:30, nën udhëheqjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mbajt një mbledhje e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës.
Kjo mbledhje u thirr pas sulmit të tretë në 72 orët e fundit, që këtë herë ka shënjestruar infrastrukturën kritike të vendit – sistemin e furnizimit me ujë dhe prodhimin e energjisë elektrike. Indikacionet e para sugjerojnë se ky sulm i radhës është orkestruar nga shteti serb, i cili ka kapacitete për një sulm të këtillë kriminal e terrorist. Elemente të organizatave terroriste “Mbrojtja Civile” e “Brigada Veriore” dhe kryekrimineli Millan Radoiçiç nën dirigjimin e Presidentit dhe Qeverisë së Serbisë planifikojnë e ushtrohen në Serbi për sulme të këtilla profesioniste. U vu në pah edhe ndërlidhja e gjasshme me sulmet e Rusisë agresore në Ukrainë mbi kapacitetet energjetike gjatë kësaj jave duke lënë mbi një milion amvisëri ukrainase pa energji elektrike pikërisht në prag të dimrit.

Gjatë mbledhjes, anëtarët e Këshillit diskutuan masat emergjente që janë marrë dhe po ndërmerren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend. Janë ndërmarrë hapa konkretë për të rikthyer situatën në normalitet duke siguruar qytetarët se furnizimi me ujë dhe energji elektrike do të rregullohet sa më shpejt.
Për më tepër, Këshilli i Sigurisë ka aprovuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale etj. Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës do të aktivizohen në terren për këtë qëllim. Po ashtu është intensifikuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ai ndërkombëtar për të parandaluar sulme të ngjashme në të ardhmen.

“Shteti ynë është i vendosur dhe i përgatitur për t’i mbrojtur qytetarët e tij dhe infrastrukturën kritike. Ne nuk do të tolerojmë akte të tilla që synojnë destabilizimin e Kosovës dhe kërcënojnë paqen dhe funksionimin demokratik. Situata po vihet nën kontroll drejt rikthimit në normalitet. Kërkojmë nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë që ta dënojnë këtë sulm që na shkaktoi dëmtime të mëdha.”, tha Kurti.
Ndërkohë Policia Kosovës po ushtrohen kontrolle në disa shtëpi të fshatit Varage të Zubin Potokut.

Lajmin e ka konfirmuar për KosovaPress, zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Po, është duke u zhvilluar aktivitet i bastisjes nga ana e policisë dhe tani për tani nuk mund të them asgjë më shumë”, ka thënë shkurt Elshani.
Nuk dihet nëse nga ky aksion është arrestuar ndonjë person ose është gjetur armatim. Aksioni po zhvillohet pas shpërthimit të mbrëmshëm në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut dhe ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Ministri i Brendshëm i Kosovës deklaroi se flitet se janë përdorur diku për rreth 15 kg eksploziv.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



