Kush është aktori shqiptar që u arrestua sot në Tiranë (Emri)
Nga fama, te burgu dhe atentati me 8 plumba
Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 40-vjeçar, i cili dyshohet se drejtonte automjetin nën ndikimin e lëndëve narkotike dhe kryente manovra të rrezikshme në rrugë, duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe të efektivëve.
Bëhet fjalë për Mishel Prelën, i cili nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar. Gjatë përpjekjes për t’u larguar, ai ka përplasur një mjet policie, duke krijuar një situatë të rrezikshme për patrullën në ndjekje.
Emri i tij nuk është i panjohur për publikun shqiptar. Prela njihet si protagonisti i filmit “Saimir”, ku ka interpretuar përkrah aktorit të njohur Xhevdet Ferri. Megjithatë, jeta e tij jashtë ekranit ka qenë e mbushur me episode të vështira, mes problemeve me drejtësinë, një atentati të rëndë dhe vështirësive sociale.

Në fund të vitit 2025, ai u shfaq në emisionin “Fiks Fare”, ku rrëfeu historinë e tij personale, duke e cilësuar jetën si një “film” më të fortë se ai që kishte luajtur. Sipas dëshmisë së tij, një konflikt i ndodhur vite më parë e çoi drejt një përplasjeje me armë, për të cilën u dënua me burg.

Ai tregonte se kishte vuajtur disa vite në qeli, ndërsa më pas ishte përballur me një atentat, ku u qëllua disa herë me armë zjarri. Sipas rrëfimit të tij, i mbijetoi sulmit në rrethana dramatike, duke pësuar plagë të rënda dhe duke kaluar një periudhë të gjatë rikuperimi.

Pas daljes nga spitali, jeta e tij mori një tjetër kthesë të vështirë. Ai deklaronte se jetonte në kushte të vështira ekonomike, në një qendër sociale në Tiranë, pa mundësi për trajtim të plotë mjekësor dhe me të ardhura minimale.
Arrestimi i fundit e rikthen sërish në vëmendje figurën e tij, kësaj here në një ngjarje që lidhet me sigurinë rrugore dhe shkeljen e ligjit.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



