Kush është gjyqtari 92-vjeçar që do të vendosë fatin e Maduros
Alvin Hellerstein, gjyqtari 92-vjeçar i Gjykatës Federale të Distriktit Jugor të Nju-Jorkut, do të jetë ai që pasditen e së hënës do të kryesojë një nga seancat më të ndjeshme të viteve të fundit në sistemin amerikan të drejtësisë. Në sallën e gjyqit në Manhatan, në orën 18:00 sipas kohës së Tiranës, pritet të dalin përpara drejtësisë presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro, dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, të akuzuar për përfshirje në narko-terrorizëm.
Hellerstein është një figurë me përvojë të jashtëzakonshme në gjyqësorin amerikan. Me origjinë hebreje dhe i emëruar në këtë detyrë nga ish-presidenti Bill Clinton, ai ka ndërtuar për dekada një reputacion si gjyqtar i çështjeve të vështira dhe me ndikim të madh publik. Gjatë karrierës së tij, ka trajtuar dosje që lidhen me terrorizmin ndërkombëtar, trafikun e drogës në shkallë të gjerë, krimin e organizuar dhe korrupsionin e zyrtarëve të nivelit të lartë.
Pikërisht përvoja e tij në çështje me ndjeshmëri të lartë dhe implikime ndërkombëtare e bën Hellerstein një nga figurat kyçe në këtë proces, i cili pritet të tërheqë vëmendjen e opinionit publik dhe mediave në mbarë botën. Çështja ndaj Maduro-s dhe Flores konsiderohet si një test i rëndësishëm për drejtësinë amerikane në përballjen me figura shtetërore të akuzuara për lidhje me rrjete kriminale transnacionale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



