Kush është “Juli i Pashakos”, rival i Aldo Bares që u plagos në Lushnje
Julian Sula, i njohur edhe si “Juli i Pashakos”, mbeti i plagosur në këmbë paraditen e sotme në Lushnjë, pas të shtënave me armë zjarri. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:40, ndërsa 45-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas hetimeve paraprake, ndaj Sulës është qëlluar nga një automjet tip Nissan në lëvizje, i cili më vonë është gjetur i djegur pranë fshatit Lifaj. Forcat e policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po punojnë për kapjen e autorëve. Grupi hetimor i Prokurorisë po zhvillon hetime për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Julian Sula ka një histori të pasur me precedentë penalë dhe hetime të shumta. Më 8 tetor 2021, gjykata e Lushnjës urdhëroi sekuestrimin e pasurive të tij, përfshirë një shumë monetare prej 70,060 eurosh dhe një automjet tip ‘Porsche Cayenne’ me vlerë mbi 100,000 euro, pasi dyshohej se ishin përfituar në mënyrë të paligjshme. Ai gjithashtu ka pasur në pronësi një lokal dhe një lavazh në Lushnjë.
Në të kaluarën, Sula është hetuar për përfshirje në atentate dhe ngjarje kriminale të shumta. Ai u mor në pyetje për atentatin ndaj prokurorit Arian Ndoja në Durrës, ku shoferi i prokurorit mbeti i vrarë, por Sula nuk u gjet fajtor për mungesë prove. Në vitin 2017, ai ishte gjithashtu i dyshuar për një atentat ku mbetën të vrarë dy persona, miq të nipit të Aldo Bares, por u lirua për mungesë provash.
Më 11 qershor 2016, Sula u plagos rëndë me thikë dhe leva nga Arjan Aliço, një anëtar i njohur i bandës së Aldo Bares, pas një konflikti në një pikë bastesh. Pas këtij incidenti, Sula ka lëvizur shpesh me makinë të blinduar dhe gjithmonë i armatosur.
Historia e tij e ngarkuar kriminale dhe përplasjet e shumta me autoritetet e bëjnë Sulën një nga figurat më të njohura në botën kriminale të Lushnjës, ndërsa ngjarja e sotme rrit tensionin dhe përforcon interesin e policisë për zbardhjen e plotë të incidentit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



