Kush janë emrat “big” që pritet të japin llogari për 21-Janarin?
Nga Edi Rama, tek Bamir Topi
SPAK ka avancuar ndjeshëm hetimet për masakrën e 21 Janarit, ndërsa pritet që në pak javë të mbushen plot 15 vite nga ajo ditë e përgjakshme në Bulevard. Por një pyetje ende mbetet pa përgjigje: kush e dha urdhrin për të vrarë?
Sali Berisha u paraqit para Prokurorisë së Posaçme pak ditë më parë, hera e parë në 15 vite që ai pyetet për këtë çështje. Para tij, janë marrë në pyetje dhjetëra emra të tjerë kyç të asaj periudhe.
Dëshmia e Lulzim Bashës, ish-ministër i Brendshëm, shihet me interes të lartë, pasi ai konsiderohet një nga personat që di shumë për arsyet e vërteta që çuan në vrasjet. Po ashtu është pyetur edhe ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi, që në një audiopërgjim dëgjohet duke dhënë urdhra të rëndë.
SPAK ka thirrur edhe zyrtarët e policisë që refuzuan urdhrat e arrestit në atë kohë: Hysni Burgaj dhe Agron Kuliçaj. Janë pyetur gjithashtu disa deputetë të PS të dyshuar për rolin e tyre në organizimin e protestës.
Megjithatë, një listë tjetër emrash ende nuk është thirrur, edhe pse dëshmia e tyre konsiderohet jetike.
Emrat që ende nuk janë pyetur — dhe pse janë të rëndësishëm
1. Edi Rama – organizatori i protestës
Kryeministri aktual ishte organizatori kryesor i tubimit të 21 Janarit, pas publikimit të videos Meta–Prifti. Edhe pse e organizoi protestën, Rama nuk mori pjesë fizikisht atë ditë, çka ka shtuar dyshime se mund të ketë ditur më shumë për atë që do të ndodhte. Ai pritet të tregojë nëse kishte informacion mbi rrezikun e viktimave.
2. Ilir Meta – personi që ndezi shkëndijën e protestës
Kreu i PL ka deklaruar disa herë se ka dijeni dhe madje ka paralajmëruar se protesta do të përfundonte me dhunë. Pyetja është: kush e informoi Metën dhe çfarë dinte ai më herët?
3. Bamir Topi – president në atë kohë
Në librin e tij, Topi tregon se Lulzim Basha i kërkoi ndërhyrje te Kryeprokurorja Ina Rama. Kjo e bën Topin një dëshmitar të rëndësishëm për të zbardhur lëvizjet e prapaskenës pas masakrës.
4. Ina Rama – Prokurore e Përgjithshme e asaj kohe
Ajo kishte detyrimin ligjor të niste hetime ndaj zyrtarëve të lartë. Pyetja që pritet t’i shtrohet është:
Pse nuk hetoi Berishën, Bashën dhe kupolën e Kryeministrisë?
5. Agron Malaj – shef i grupit të zjarrit
Si pjesëtar i Gardës në mes të ngjarjes, ai di saktësisht kush dha urdhër, në cilin moment dhe çfarë komunikimesh ishin bërë.
6. Endri Hasa – ish-shef i IT në Kryeministri
Për të ka pasur akuza se ka fshirë serverat e kamerave të Kryeministrisë, pasi në atë kohë zhdukën të gjitha regjistrimet. Hasa është personi që mund të tregojë:
-
Çfarë u fshi?
-
Kush e urdhëroi?
-
Deri ku shkuan regjistrimet para se të zhdukeshin?
Emrat që tashmë kanë dëshmuar përpara SPAK
-
Sali Berisha
-
Lulzim Basha
-
Ndrea Prendi
-
Fatos Mahmutaj
-
Hysni Burgaj
-
Agron Kuliçaj
-
Artan Hoxha
-
Mark Nika
-
Rajmonda Nika
-
Saimir Tahiri
-
Xhemal Qefalia
-
Salvador Kaçaj
-
Agim Deda
SPAK pritet të marrë vendime të rëndësishme në javët në vijim. Pyetja kryesore mbetet: A do të guxojë Prokuroria e Posaçme të shkojë deri te ata që dhanë urdhrat e vrasjeve?
Nëse do, kjo mund të jetë dosja që trondit politikën shqiptare më shumë se çdo hetim tjetër në 30 vitet e fundit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



