Shkulja e pllakës së 21 Janarit thellon më tej dhimbjen e familjarëve të Aleks Nikës
Mark Nika: Aleksi nuk kthehet më, por ne e dimë kush e vrau! SPAK t’i çojë para drejtësisë
Heqja e pllakës përkujtimore të Aleks Nikës, e vendosur në vendin ku ai u vra më 21 janar 2011, ka rikthyer dhimbjen dhe zemërimin te familjarët e tij. Mark Nika, xhaxhai i të ndjerit, ka reaguar pas ngjarjes së raportuar gjatë protestës së 25 tetorit në Tiranë, duke kërkuar që Prokuroria e Posaçme (SPAK) të çojë përpara hetimet dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
Në një deklaratë për mediat, Mark Nika tha se nuk e di se kush e ka hequr pllakën nga vendi ku mbeti i vrarë nipi i tij, por theksoi se familja vijon të kërkojë zbardhjen e plotë të ngjarjes së 21 Janarit. Sipas tij, largimi i memorialit përbën një tjetër goditje emocionale për familjen, e cila prej më shumë se 15 vitesh pret drejtësi.
“Këtu është vrarë Aleksi më 21 janar 2011 nga Garda e Republikës. Në shenjë kujtimi është vendosur një pllakë për të përkujtuar ditën e vrasjes. Sot nga mediat mësova se forca të errëta, nuk e di se kush, e kanë hequr pllakën që ta shuajnë këtë kujtim që kemi për Aleksin”, u shpreh Mark Nika.
Ai kërkoi që SPAK të vijojë hetimet dhe që çështja të mos mbetet pa përgjegjësi ligjore për personat që do të rezultojnë fajtorë. Në deklaratën e tij, Nika shprehu pakënaqësinë për faktin se, sipas tij, përgjegjësit për vrasjet e 21 Janarit ende nuk janë përballur me drejtësinë në mënyrën që kërkon familja.
“Por ne e dimë kush janë vrasësit. SPAK po e heton çështjen dhe i bëjmë thirrje që vrasësit të shkojnë para drejtësisë dhe të mos bredhin sërish si në Parlament, si jashtë tij”, deklaroi ai.
Mark Nika e cilësoi një ditë të rëndë për familjen heqjen e pllakës, e cila shërbente si shenjë përkujtimore në vendin ku u vra Aleks Nika. Ai tha se, sa herë që familjarët vinin në Tiranë, ndaleshin aty për të kujtuar ngjarjen dhe për të rikthyer në vëmendje kërkesën e tyre për drejtësi.
“Aleksi nuk kthehet më”, u shpreh ai, duke shtuar se ka besim që pllaka përkujtimore do të rivendoset nga qeveria. Krahas kësaj, ai i bëri thirrje SPAK-ut që hetimet të përparojnë sa më shpejt dhe që familjarët të mos përballen sërish me atë që e cilësoi si dhimbje dhe dëmtim moral.
21 Janari, familjarët vijojnë të kërkojnë drejtësi
Vrasja e Aleks Nikës gjatë protestës së 21 janarit 2011 mbetet një nga çështjet më të ndjeshme të historisë politike shqiptare. Heqja e pllakës përkujtimore gjatë protestës së fundit e ka rikthyer ngjarjen në vëmendjen publike, duke nxitur reagimin e familjarëve dhe thirrjet për zbardhjen e plotë të përgjegjësive.
Për Mark Nikën, rivendosja e pllakës është e rëndësishme për ruajtjen e kujtimit të nipit të tij, por kërkesa kryesore e familjes mbetet drejtësia. Ai kërkon që hetimi të çojë në përcaktimin e përgjegjësive ligjore dhe që vrasja e Aleks Nikës të mos mbetet pa një përgjigje përfundimtare nga institucionet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



