E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kush janë favoritët kryesor për drejtimin e Policisë së Shtetit?
Lajme

Kush janë favoritët kryesor për drejtimin e Policisë së Shtetit?

Pas largimit të Ilir Prodës, gara për drejtimin e Policisë së Shtetit ka hyrë në një fazë vendimtare. Në total, 16 kandidatë kanë shprehur interes për të marrë postin e Drejtorit të Përgjithshëm, mes tyre 14 zyrtarë të lartë të policisë dhe dy gra me profesion juriste.

Procesi pritet të jetë mjaft konkurrues, ndërsa në qarqet e sigurisë dhe politikës kanë nisur të qarkullojnë edhe emrat që konsiderohen më të favorizuar për të marrë drejtimin e institucionit kyç të rendit dhe sigurisë në vend.

Një nga kandidatët që shihet si pretendent serioz është Tonin Vocaj, një zyrtar me eksperiencë të gjatë në strukturat e policisë. Ai ka drejtuar më herët Policinë e Tiranës dhe ka mbajtur edhe detyrën e drejtuesit të sektorit kundër krimit të organizuar në Policinë e Shtetit. Sipas burimeve, Vocaj konsiderohet një figurë profesionale që nuk has kundërshtime të forta as në kampin opozitar.

Një tjetër emër që përmendet shpesh është Lorenc Panganika. Ai gëzon reputacion në radhët e policisë dhe ka mbajtur disa poste drejtuese gjatë karrierës së tij, përfshirë drejtimin e drejtorive vendore në Tiranë dhe Fier. Megjithatë, me ardhjen e Prodës në krye të policisë, Panganika u transferua në Akademia e Sigurisë, një lëvizje që në qarqe të caktuara u interpretua si “internim” institucional.

Në mesin e kandidatëve të fortë përmendet edhe Skënder Hita, aktualisht drejtor i policisë në qarkun Fier. Ai ka një karrierë mbi 15 vite në strukturat e rendit dhe më herët ka drejtuar disa drejtorí të rëndësishme, përfshirë ato në Dibër, Durrës dhe Fier.

Po ashtu, një tjetër emër që shihet me peshë në këtë garë është Neritan Nallbati, i cili aktualisht mban postin e drejtorit të Departamentit të Policisë Kriminale. Përvoja në strukturat hetimore dhe menaxhimi i çështjeve të krimit të organizuar e bëjnë atë një kandidat potencialisht të fortë.

Ndërkohë, në listën e aplikantëve ka edhe emra të tjerë që sipas burimeve po mbështeten nga grupe apo klane të caktuara brenda strukturave të policisë, si Afrim Tafa dhe Gentian Berberi.

Procesi i përzgjedhjes do të kalojë fillimisht në filtrin e një komisioni vlerësimi që drejtohet nga zëvendësministrja e Brendshme Silva Caka. Në këtë komision bëjnë pjesë edhe drejtori i Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Eduart Merkaj, si dhe sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Brendshme Kledia Ngjela.

Pas vlerësimit të kandidatëve, komisioni do të përzgjedhë tre emrat më të mirë të renditur në listë. Kjo treshe do t’i paraqitet më pas kryeministrit Edi Rama, i cili do të marrë vendimin final për emërimin e Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.