E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kush përfiton? Qeveria heq tarifën e legalizimit për banesat pa leje
Lajme

Kush përfiton? Qeveria heq tarifën e legalizimit për banesat pa leje

Qeveria ka vendosur të heqë tarifën e shërbimit të legalizimit për ndërtimet pa leje që përdoren si banesa.

Ndryshimi është bërë përmes dy vendimeve të Këshillit të Ministrave, të botuara në Fletoren Zyrtare nr. 202, të cilat sjellin ndryshime në rregullat për evidentimin dhe tarifimin e procedurave të legalizimit.

Sipas rregullave të reja, në rastet kur një ndërtim pa leje ka funksion banimi, personi që e posedon atë përjashtohet nga pagesa e tarifës së shërbimit të legalizimit.

Përfitimi lidhet drejtpërdrejt me funksionin e objektit. Ndërtimi duhet të jetë në përdorim si banesë dhe të plotësojë kriteret e përcaktuara nga legjislacioni për t’u përfshirë në procesin e legalizimit.

Me ndryshimin e miratuar, tarifa e shërbimit nuk do të jetë më një detyrim për poseduesit e banesave pa leje që trajtohen në proceset e legalizimit nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Në të njëjtën kohë, qeveria ka ndërhyrë edhe në vendimin që përcakton tarifat, pagesat dhe penalitetet për proceset kalimtare të pronësisë. Ndryshimet pasqyrojnë edhe përjashtimin e ri për banesat pa leje.

Megjithatë, heqja e tarifës së shërbimit të legalizimit nuk nënkupton faljen automatike të çdo detyrimi financiar që mund të lidhet me pronën.

Pagesat që mund të lindin për truallin, si edhe detyrime të tjera të parashikuara nga kuadri ligjor, do të përcaktohen në varësi të statusit juridik dhe rrethanave të çdo prone.

Procedura e legalizimit duhet gjithashtu të dallohet nga regjistrimi i objekteve pa titull pronësie. Në këtë rast, kur qytetari aplikon vetë përmes platformës e-Albania, parashikohet pagesa e tarifës prej 10 mijë lekësh.

Për banesat e ndërtuara pa leje, formulimi i ri i vendimit parashikon përjashtimin e poseduesit nga tarifa e shërbimit të legalizimit dhe nuk e kushtëzon këtë përfitim vetëm me rastet kur procedura është iniciuar kryesisht nga Kadastra.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.