E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kush po e kërcënon gjyqtaren Irena Gjoka?
Lajme

Kush po e kërcënon gjyqtaren Irena Gjoka?

Shteti shton masat e sigurisë, autorët mbeten në hije

Sistemi i drejtësisë në Shqipëri është sërish nën alarm. Komisioni për Mbrojtjen e Gjyqtarëve ka marrë vendimin e prerë për të rritur nivelin e sigurisë për gjyqtaren e Posaçme (GJKKO), Irena Gjoka. Ky vendim sinjalizon ekzistencën e një rreziku konkret dhe serioz për jetën e saj, ndonëse institucionet tregohen hermetike sa i përket burimit të kërcënimit.
Blindimi i gjyqtares: Përfshihet Njësia e Mbrojtjes së Veçantë
Vendimi është marrë në një mbledhje ku morën pjesë kupola e sigurisë dhe drejtësisë: Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), Policia e Shtetit dhe kreu i Gjykatës së Posaçme, Erjon Bani.
Sipas burimeve, mbrojtja e Gjokës nuk do të kufizohet vetëm te Garda e Republikës, e cila siguron normalisht trupën e SPAK-ut dhe GJKKO-së. Tashmë, ndaj saj janë angazhuar edhe oficerë nga Njësia e Mbrojtjes së Veçantë, një strukturë që ndërhyn vetëm kur indiciet për sulm janë të bazuara dhe kërcënimi konsiderohet i nivelit të lartë.
Dëshmia tronditëse: “Kërcënime të vazhdueshme me jetë”
Ndonëse zyrtarisht çdo detaj mbahet sekret, një familjar i gjyqtares, i kontaktuar nga gazetari ynë, konfirmoi në kushte anonimiteti situatën e rëndë psikologjike dhe sigurinë e cenuar. “Ka një lumë kërcënimesh të vazhdueshme që vijnë përmes numrave anonimë. Nuk janë thjesht presione pune, por kërcënime të hapur me jetë. Kjo situatë po zgjat prej kohësh dhe është bërë e papërballueshme,” – u shpreh i afërmi i gjyqtares.
Pse është shënjestruar Irena Gjoka?
Kjo nuk është hera e parë që Gjoka vihet nën mbrojtje, por rritja e nivelit të sigurisë sugjeron një përshkallëzim të rrezikut. Gjyqtarja mban postin e zëvendëskryetares së GJKKO-së dhe ka pasur në dorë disa nga dosjet më “përvëluese” të viteve të fundit.
• Dosja “Partizani”: Gjoka ishte relatore në këtë çështje me profil të lartë politik, ku u caktuan masa sigurie për emra të rëndësishëm të opozitës.
• Krimet e Rënda: Ajo ka firmosur dhjetëra urdhër-arreste për eksponentë të krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta.
Hija e tritolit mbi drejtësinë
Rasti i Gjokës nuk është i izoluar, por vjen si një kujtesë e dhunshme e precedentëve të mëparshëm. Gjyqtarja Gentian Muça vijon të jetë nën mbrojtje shtetërore që prej pesë vitesh, kur automjetit të saj dhe të bashkëshortit (prokuror) iu vendos tritol. Mungesa e transparencës mbi autorët e kërcënimeve ndaj Gjokës lë vend për dyshime: A po tenton krimi apo politika të gjunjëzojë gjykatën përmes terrorit?
Deri tani, autoritetet nuk kanë asnjë emër zyrtar si autor të mesazheve kërcënuese, ndërsa Gjykata e Posaçme vijon punën nën rrethim të rreptë policor.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.