SPAK kërkon pushimin e çështjes ndaj gjyqtares Irena Gjoka
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar zyrtarisht pranë Gjykatës së Posaçme pushimin e procedimit penal ndaj gjyqtares Irena Gjoka, e hetuar për veprën penale të falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve.
Procedimi penal ishte regjistruar në vitin 2025, pas një kallëzimi të bërë nga Adriana Kalaja, në cilësinë e kryetares së Komisionit të Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit në Partinë Demokratike. Në kallëzim përfshiheshin pretendime për falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm.
Në kuadër të hetimeve, SPAK ka administruar një sërë provash dhe dokumentesh nga institucione shqiptare dhe të huaja, përfshirë edhe autoritetet e drejtësisë në Greqi. Nga verifikimet rezulton se ndaj Irena Gjokës ekziston një vendim i vitit 2005 nga një gjykatë në Janinë, ku ajo është shpallur fajtore për përdorim dokumentesh të parregullta dhe shkelje të rregullave të hyrjes në territorin grek.
Megjithatë, sipas SPAK, ky proces gjyqësor është zhvilluar në mungesë të saj dhe nuk ka prova që ajo të jetë njoftuar në mënyrë efektive për zhvillimin e gjykimit apo për vendimin përkatës. Po ashtu, nga verifikimet rezulton se në dëshmitë e penalitetit të lëshuara nga autoritetet greke nuk figuron asnjë dënim penal ndaj saj.
Gjithashtu, në vetëdeklarimet e saj, Gjoka ka deklaruar se nuk është dënuar me vendim të formës së prerë. Edhe në rast se do të merrej në konsideratë ekzistenca e vendimit të vitit 2005, SPAK vlerëson se ndjekja penale është e shuar për shkak të parashkrimit.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Posaçme vlerëson se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për vijimin e ndjekjes penale dhe se nuk provohet që gjyqtarja të ketë kryer veprën penale për të cilën është kallëzuar.
Për këto arsye, SPAK i është drejtuar Gjykatës së Posaçme me kërkesë për pushimin e çështjes, duke theksuar se vendimi mbështetet në mungesën e provave dhe në kalimin e afateve ligjore të ndjekjes penale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



