Ky është 16-vjeçari që humbi jetën në lokalin e gjyshit në Fushë-Krujë
Enes Isaku, 16-vjeçari që humbi jetën në një aksident tragjik me ashensorin në ambientet e një lokali dasmash në Arrameras të Fushë-Krujës, do të përcillet këtë të hënë për në banesën e fundit. Ndarja e parakohshme nga jeta e të riut ka lënë në dhimbje të thellë familjen Isaku, miqtë dhe shokët e tij.
Adoleshenti punonte si kamarier gjatë fundjavave në ambientet e lokalit “AV Wedding Center”, ku edhe ndodhi ngjarja fatale. Sipas të dhënave të bëra publike, në momentin e aksidentit ai ndodhej në katet e sipërme të ndërtesës, së bashku me kolegun e tij, Endri Stafuka, 26 vjeç.
Dy të rinjtë, të cilët punonin në të njëjtin ambient, dyshohet se po bënin shaka me njëri-tjetrin, duke tentuar që njëri të zbriste me ashensor në katin e parë, ndërsa tjetri të mbetej lart. Por ajo që nisi si një moment loje mes kolegësh përfundoi në një tragjedi të rëndë.
Në çastin kur dera e ashensorit u mbyll, me 16-vjeçarin brenda, mekanizmi pësoi një defekt të rëndë. Sipas raportimeve, kavot u shkëputën dhe ashensori u përplas në katin zero, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme Enes Isakut.
Ngjarja tronditi jo vetëm familjarët dhe të afërmit e të miturit, por edhe personat që ndodheshin në ambientet e biznesit. Për shkak të shkëputjes së kavove, rrezikoi të lëndohej edhe 26-vjeçari Endri Stafuka, i cili ndodhej pranë ashensorit.
Pas ngjarjes, policia arrestoi Stafukën, i cili dyshohet për veprën penale të “Vrasjes nga pakujdesia”. Rrethanat e plota të aksidentit dhe përgjegjësitë përkatëse mbeten objekt i hetimeve.
Një tjetër detaj i raportuar lidhur me minutat para tragjedisë është se pronari i lokalit, Afrim Vathi, ishte ngjitur pak çaste më herët me të njëjtin ashensor deri në katin e sipërm të ndërtesës. Enes Isaku ishte nipi i tij.
Vdekja e 16-vjeçarit ka rikthyer vëmendjen te siguria e ashensorëve në ambientet ku ushtrohet aktivitet tregtar, si dhe te nevoja për kontrolle të rregullta teknike, në mënyrë që defekte të tilla të mos kthehen në tragjedi me pasoja të parikuperueshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



