Lezha “mbërthehet” nga trafiku kilometrik ende pa nisur sezoni i verës
Fundjava ka rikthyer problemin kronik të trafikut në Lezhë, ku fluksi i lartë i automjeteve ka shkaktuar bllokime dhe vonesa të konsiderueshme në akset kryesore hyrëse dhe dalëse të qytetit.
Situata në terren tregon kolona të gjata mjetesh dhe lëvizje tepër të ngadalta, sidomos për drejtuesit që udhëtojnë drejt zonave bregdetare si Shëngjini, apo në drejtim të veriut të vendit. Në disa segmente, qarkullimi është kthyer në një sfidë të vërtetë, me pritje që zgjasin për dhjetëra minuta.
Një nga arsyet kryesore të kësaj situate mbetet mungesa e akseve alternative. Pjesa më e madhe e qarkullimit përqendrohet në të njëjtat rrugë, duke rritur ndjeshëm ngarkesën dhe duke krijuar bllokime të shpeshta, sidomos gjatë fundjavave.
Kjo situatë po ngre shqetësime serioze edhe në prag të sezonit turistik veror. Me rritjen e numrit të pushuesve që zgjedhin bregdetin e Lezhës si destinacion, frika është se trafiku mund të përkeqësohet edhe më tej gjatë muajve në vijim.
Banorët dhe përdoruesit e rrugës kërkojnë ndërhyrje konkrete dhe zgjidhje afatgjata, duke theksuar nevojën për përmirësim të infrastrukturës rrugore dhe një menaxhim më efikas të qarkullimit, në mënyrë që të shmangen situata të tilla që dëmtojnë jo vetëm përditshmërinë, por edhe turizmin në zonë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



