E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nga tenderat miliona Euro te fluturimi mbi centralin bërthamor…
Lajme

Nga tenderat miliona Euro te fluturimi mbi centralin bërthamor…

Në Shqipërinë e Edi Ramës ishte “biznesmen i suksesshëm”. Kompanitë e tij fitonin miliona euro nga tenderat shtetërorë, sidomos në fushën e teknologjisë.

Madje, kur Emmanuel Macron erdhi në Shqipëri dhe u takua me përfaqësues të biznesit të teknologjisë, Ermal Beqiri arriti të fotografohej edhe pranë Presidentit francez. Një imazh prestigji për kohën. Sot, një ironi e madhe.

Sepse tashmë Beqiri akuzohet për një mal me vepra të rënda penale: heqje të paligjshme të lirisë, konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës, manipulim të tenderave publikë, pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Pasi u largua nga Shqipëria dhe u shpall në kërkim ndërkombëtar, mund të mendohej se do të fshihej diku, larg syve të autoriteteve.

Por jo.

U ndalua në veri të Francës, pranë zonës së Pas-de-Calais, një nga korridoret më të përdorura për lëvizjen drejt dhe nga Anglia. Dhe nuk po udhëtonte as në këmbë, as me traget dhe as me tren.

Po fluturonte me një avion të vogël privat, të cilin e pilotonte vetë.

Dhe këtu historia bëhet edhe më e çuditshme: autoritetet franceze e pikasin duke fluturuar në lartësi të ulët mbi centralin bërthamor të Penly, një objekt strategjik ku Franca po zhvillon projektin e ri bërthamor EPR2.

Shpjegimi i tij, sipas raportimeve, ishte se kishte humbur lartësinë sepse po fliste në telefon me nënën.

Mirëpo pyetja mbetet:

Ç’dreqin bënte një person në kërkim ndërkombëtar, me avion privat, mbi një central bërthamor francez?

Dikur fotografohej me Macronin si përfaqësues i teknologjisë shqiptare. Sot ndalohet nga autoritetet franceze mbi një objekt të sigurisë kombëtare.

Në Shqipëri fitoi tenderat. Në Francë e kapi radari. Edhe një herë, institucionet e një shteti partner treguan se funksionojnë.

Sepse po të prisnim vetëm nga institucionet shqiptare, ndoshta ai do të vazhdonte të fluturonte… jo vetëm mbi Francë, por edhe mbi drejtësinë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.