Ligështia që më krijon korrupsioni
Irena Irena Beqiraj | Opinion | Publik.al
Ligështia , të paktën siç e ndjej unë, është një ndjesi ku bashkohen përshtirosja edhe mëshira . Sinqerisht unë nuk di të të them nëse mbizorëton njëra apo tjetra, por sa herë flitet për pushtetarë të korruptuar ndjej pikërisht këtë përzjerje që e quaj “ligështi”.
Unë mendoj se ne njerëzit lindim sovranë. Ne jemi ambasadorë të vetë natyrës, dhe natyra është hyjnia e shprehur përmes jetës tonë. Çdo qenie njerëzore është një zgjatim i këtij rendi hyjnor. Ndaj të korruptohesh edhe të korruptojnë do të thotë pikërisht të harrosh sovranitetin me të cilin kemi lindur.
A është paraja, mirëqenia, lakmia , ambicja që i shtyn disa apo edhe më të shumtit drejt korrupsionit apo lëshimit të sovranitetit ?
Çdo ditë e më shumë po bindet se jo . Të korruptohesh do të thotë të ndihesh i pafuqishëm, të bëhesh i varur nga sistemet që shfrytëzojnë frikën dhe nevojën tënde për siguri .
Por jo vetëm kaq. Shpesh njërzit sidomos ata që duan me çdo kusht të enden korridoreve të pushtetit kanë një ide shumë të shtrembëruar se çfarë është në të vërtetë pushteti apo autoriteti edhe mbi këtë shtrembërim kanë ngritur besimin e gabuar se pushteti dhe autoriteti ekzistojnë edhe mund të sigurohen vetëm përmes parasë .
Edhe kjo iluzion nuk zhvillohet nga hiçi kur hypen në pushtet por fara e tij mbillet që në moshë të hershme. Njerzit të cilët që në moshë të hershme mbijetojnë , duke të toleruar dhe normalizuar abuzimin ; perceptojnë se mbijetesa varet nga nënshtrimi, apo se ata që zotërojnë burimet kanë të drejtë të kontrollojnë e kanë shumë të thjeshtë ta shkëmbejnë sovranitetin .
Paraja për ta konsiderohet përendia përfundimtare, pasi nëpërmjet saj jo vetëm arrihet siguria personale, por paraja konsiderohet si i vetmi mekanizëm i vlefshëm për kontrolluar gjithë të tjerët.
Mesazhi bëhet i qartë : për të mbijetuar edhe të dalë mbi të tjerët si fillim duhet të nënshtrohesh. Kultura e suksesit bëhet e pandashme nga abuzimi me pushtetit.
Mbijetesa edhe vazhdimësia kërkojnë të paguash me sovranitetin madje skeletet në dollap të detyrojnë të vendosësh në shitje edhe shpirtin .
Të mbijetosh duhet të mohosh me dashje një të vërtetë të vjetër sa vetë njërëzimi se pasuria, statusi, titujt , pozicioni janë shprehje të pushtetit por jo vetë pushteti.
Korrupsioni është një proces, dhe që nga origjina e fjalës nënkupton një ndryshim gjendjeje për shkak të kalbjes. I parë në nivel makro ai konsiderohet si pengesa e zvilllimin ekonomik edhe shoqëror të një kombi .
Por i parë në nivel individi ai është proçesi i zhvillimit të papjekurisë emocionale morale dhe shpirtërore.
Ai krijon identitete pa thelb të cilat herët a vonë i ofrohen shoqërisë së vjedhur ( pasi zyra publike është trajtuar si pronë private) si kuti bosh që kjo e fundit të vjellë gjithë frustimet e saj.
Ndaj në nivel njërëzor korrupsioni më ligështon !
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


