Ligji proçedural që shuan gjykatën e paanëshme
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar lidhur me zhvillimet në çështjen e njohur si “Sterilizimi”, ku për gjykim ndodhet ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja.
Në një reagim publik, Manjani e cilëson procesin si provë të qartë të problemeve serioze që, sipas tij, mbart ligji procedural penal në Shqipëri. Ai thekson se rasti në fjalë nuk ka lidhje me mbrojtjen e interesave personale të Beqajt, por me parimet themelore të një procesi të rregullt ligjor dhe me të drejtën për t’u gjykuar nga një gjykatë e paanshme.
Sipas Manjanit, situata bëhet problematike në momentin kur gjykata e seancës paraprake, pa shqyrtuar ende provat në themel, ndryshon akuzën e ngritur nga prokuroria. Ai argumenton se në një sistem penal akuzator, rolet janë të ndara qartë: prokuroria ngre akuzën, i pandehuri mbrohet dhe gjykata qëndron mbi palët për të gjykuar në mënyrë të paanshme.
“Kur gjykata vendos vetë një akuzë të re, lind pyetja: kush do ta gjykojë atë akuzë në mënyrë të paanshme?”, shtron ai, duke e konsideruar këtë një përzierje të rrezikshme rolesh mes prokurorit dhe gjyqtarit.
Manjani ngre dy pikëpyetje kryesore:
-
Kush e ka të drejtën për të ngritur akuzë në një proces penal – prokurori apo gjyqtari?
-
Nëse edhe gjyqtari merr këtë rol, kush garanton paanësinë e gjykimit?
Ai paralajmëron se një praktikë e tillë mund të përbëjë rrëshqitje nga sistemi akuzator drejt një forme inkuizicioni penal, duke cenuar parimet bazë të drejtësisë në një rend demokratik.
Në përfundim, Manjani thekson se problemi nuk qëndron tek individë të caktuar në sistemin e drejtësisë, por tek vetë ligji procedural penal, të cilin e konsideron të papjekur dhe të dëmshëm në formën aktuale. Sipas tij, drejtësia penale në Shqipëri duhet të rishikohet nga themeli për të garantuar ndarjen e qartë të roleve dhe respektimin e parimit të paanësisë.
“Çështja “sterilizimi” ku gjykohet ministri Ilir Beqja, është një tjetër provë se sa i keq dhe shumë i keq është ligji proçedural penal. Është një provë se si ndërhyrjet e pjesshme dhe të papjekura që bëhen në ligje dëmtojnë të tërën.
Dua të sqaroj që në fillim mezipritësit dhe hazërxhevapët e helmuar me mllef politik dhe antinjeri “të drejtësisë popullore e sociale”, se kjo që po përpiqem të shpreh nuk ka lidhje me Ilir Beqen apo interesat e tij. Ato interesa i mbron vetë Ai me avokatët e tij.
Por kjo që po shpreh, ka lidhje me garancitë e zeruara proçedurale të gjithkujt që ka të drejtën themelore të gjykohet nga një gjykatë e PAANËSHME.
Rasti është ky:
Prokuroria ka ngritë një akuzë X dhe e dërgon në gjykatë çështjen për gjykim. Gjykata e seancës paraprake, pra që nuk ka shqyrtuar ende asnjë provë nga dosja, urdhëron që të mos jetë akuza X, por të bëhet Y.
Këtu fillon edhe kalvari i ecejakeve të çështjes, në përpjekje për të identifikuar se kush është prokurori e kush do jetë gjykatësi që do gjykojë akuzën e ngritur nga gjykata tashmë?! Një molepsje absurde rolesh e detyrash që ske nga e kap. Një kalavar që duket se të paktën formalisht dje gjykata e themelit duket sikur e ka zgjidhur. Por formalisht sepse në esencë Ilir Beqajn nuk e akuzon më Prokuroria, por gjykata që presupozohet ta gjykojë. Ta gjykojë me akuzën që ka ngritur vetë!!!
Dmth të akuzon, të gjykon e me shumë gjasë të dënon gjykata. Të tjerët janë kot aty në sallën e gjyqit… Drejtësi, jo shaka!
Tani pyetjet që lindin janë:
1. Kush e ka të drejtën të akuzojë në një proçes penal, prokurori apo gjykatësi?!
2. Nëse e ka edhe gjykatësi, kush është gjykata e paanëshme që do e gjykojë akuzën që ka ngritur vetë?!
Absurde, apo jo?!
Më tej akoma, a mund të quhet sistemi ynë i gjykimit penal akuzator, apo kemi një rrëshqitje në inkuizicion penal?!
Në një sistem akuzator, akuzën e ngre prokurori. I pandehuri mbrohet me të njëjtat mjete që i jepen prokurorit. Gjykata qëndron mbi palët dhe gjykon strikt mbi akuzën e sjellë nga njëra anë dhe, pretendimet e mbrojtes nga ana tjetër.
Ajo, gjykata pra, nuk mund të vendosë vetë një akuzë të re sepse, as është prokurori e as është gjykatë inkuzicioni. Të paktën në kornizën e një rendit demokratik kështu është.
Principi e kërkon që kur gjykatësi gjen se akuza e sjellë për gjykim nuk është e mbështetur në fakte,ai/ajo e rrëzon akuzën dhe, nuk ka detyrim të bëjë akuzë të re. As nuk mund të bëjë një akuzë të re!
Këtë të fundit e bën prokurori. Edhe ky akuzën e bazon strikt në fakte dhe prova e jo hamendësime. As formalisjt për llogari të gjykatës, siç i kërkohet prokurorisë sot në rastin në fjalë.
Si mund të ndërtosh e mbrosh në gjyq një akuzë që nuk është e jotja?!
Në proçesin penal janë ndarë punët, rolet, detyrat e kompetencat. Ngatërrimi i tyre quhet kaos. Kaosi prodhon padrejtësi.
Tani, realisht në çështjen në fjalë ashtu sikurse edhe në disa çështje të tjera ku gjykata bëhet prokurori dhe akuzon vetë, kush do i gjykojë akuzat e saj?! Ç’prokurori tjetër do na duhej që të mbronte akuzat që ngre gjykata?!
Me ç’paanësi gjykata pritet të gjykojë akuzat që ngre vetë?!
Hajde se po mbyllim sytë për inat të Beqajt, po si e ka emrin ky sistem që kemi në fuqi?!
Po të të ndodhë ty nesër, si do bësh?!
****
Kjo është një gropë, ndër shumë të tjera, që ka ligji procedural penal. Vemendja ime është e gjitha e fokusuar tek ligji i keq dhe shumë i keq që kompromenton parimet e drejtësisë në rendin demokratik dhe, jo tek gjykatës apo prokurorë të veçantë.
Për sa kohë që ligji i shkruar është ky që është, ata nuk kanë faj.
Insistoj që drejtësia penale duhet ndërtuar nga e para. Nuk kemi qullosur gjë hë për hë…” shkruan Ylli Manjani.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



