Lista e gjyqtarëve dhe prokurorëve të dorëhequr nga Vetingu
Qeveria ka gati planin për të bindur Bashkimin Evropian për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Brukseli ka vënë kusht kryesor zbatimin e vetingut, rezultatet e të cilit po marrin akoma shumë kohë. Mirëpo ekzekutivi ka filluar lëvizjet për të bindur ndërkombëtarët se procesi i vetingut po jep rezultat.
Sipas informacioneve të gazetës, qeveria ka hartuar një listë me emrat e 17 gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë dhënë dorëheqjen nga procesi i verifikimit të pastërtisë së figurës, karrierës dhe pasurisë, duke u larguar kështu nga sistemi i drejtësisë.
Ndërkohë gazeta ka arritur të sigurojë detaje nga lista me gjyqtarët dhe prokurorët e dorëhequr. Ajo që bie në sy në listë është fakti se 7 emra të sistemit të drejtësisë kanë paraqitur dorëheqjet e tyre përpara se të niste procesi i vetingut.
Më konkretisht, janë dorëhequr në muajt e parë të vitit 2017 emrat: Sulejman Tola (Prokuror, Prokuroria e Rrethit Krujë, 26.01.2017), Ilir Çeliku (Gjyqtar, Gjykata e Apelit, Vlorë, 30.01.2017), Mirela Fana (Gjyqtar, Gjykata e Lartë, 31.01.2017), Ilir Pashaj (Gjyqtar, Gjykata e Shkallës së Parë, Elbasan 01.02.2017), Eritan Shehu (Këshilltar Ligjor, Gjykata e Lartë, 29.03.2017), Adnand Berdica (Këshilltar Ligjor, Gjykata e Lartë, 29.03.2017), Etleva Sherifi (Ndihmëse Ligjore, Gjykata e Lartë, 31.03.2017).
Emrat e tjerë
Në listën që pritet që qeveria t’i paraqesë Brukselit me qëllim çeljen e negociatave bëjnë pjesë edhe emra të tjerë, midis të cilëve mund të përmendim edhe atë të ish-kryeprokurorit, Adriatik Llalla.
Llalla u dorëhoq nga sistemi i drejtësisë vetëm pak ditë më parë, duke mos pranuar të bëhej gjyqtar Apeli, teksa për të u ndërpre edhe procesi i vetingut.
Gjithashtu, një tjetër emër në listë është edhe ai i Bensik Imerajt, ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Imeraj po ashtu dha dorëheqjen vetëm pak kohë më parë për arsye personale, dhe më pas u vijua edhe me ndërprerjen e procesit të rivlerësimit.
Ndërkohë nga Gjykata Kushtetuese janë dorëhequr edhe Vladimir Kristo, Sokol Berberi dhe Vitore Tusha. Për të arritur në fund të listës, tre emrat e tjerë që kanë dhënë dorëheqjen nga vetingu janë: Shyqyri Çobo (Gjykata e Rrethit Berat), Ibrahim Hoxha (Gjykata e Tiranës) dhe Drita Velaj.
Duke qenë e vendosur për të çelur negociatat me BE, qeveria, përveç kësaj liste, pritet të paraqesë tek ndërkombëtarët edhe rezultatet që do të dalin nga vetingu për 57 emrat prioritarë që i janë nënshtruar procesit të rivlerësimit./cna
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



