Lojërat e fatit/ Arrestohen dy persona në Fier, procedohen 16 të tjerë
Një aktivitet i dyshuar i paligjshëm i lojërave të fatit është zbuluar nga Policia e Fierit gjatë një operacioni të koduar “No Games”, i zhvilluar në një lokal në lagjen “Kastriot”.
Gjatë kontrollit të ambienteve, efektivët konstatuan se lokali ishte përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit. Në momentin e ndërhyrjes, në ambient ndodheshin 16 persona, të cilët u kapën duke marrë pjesë në lojë.
Në vijim të veprimeve të kryera nga policia, u arrestuan 49-vjeçarja Dh. Sh., administratore e lokalit dhe banuese në Fier, si edhe 43-vjeçari R. C., banues në Tiranë, i dyshuar nga autoritetet si personi që organizonte aktivitetin e lojërave të fatit.
Ndërkohë, 16 personat e gjetur duke luajtur nuk u arrestuan, por u proceduan penalisht në gjendje të lirë.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi edhe një sërë sendesh që dyshohet se përdoreshin për zhvillimin e aktivitetit. Në cilësinë e provës materiale u morën një tavolinë pokeri, një kuti me 500 çipsa, gjashtë pako me letra bixhozi, pesë telefona celularë dhe 8 mijë euro.
Pas përfundimit të veprimeve të para hetimore, materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për vijimin e procedurave ligjore.
Operacioni “No Games” vjen në kuadër të kontrolleve të policisë ndaj ambienteve ku dyshohet se zhvillohen lojëra fati në kundërshtim me ligjin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



