E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Luks dhe mashtrime, dënohet në Zvicër “sheh-imami” nga Kosova
Lajme

Luks dhe mashtrime, dënohet në Zvicër “sheh-imami” nga Kosova

Një skemë e gjerë mashtrimi financiar, e ndërtuar mbi një jetë luksi të shfrenuar dhe deklarime të rreme varfërie, ka marrë fund në Gjykatën e Dietikonit pranë Cyrihut. Në qendër të çështjes është një 57-vjeçar nga Kosova, i vetëquajtur “sheh-imam”, i cili u dënua me 3 vjet e gjysmë burg dhe ndalim hyrjeje në Zvicër për tre vite.

Sipas autoriteteve zvicerane, i dënuari kishte përfshirë në aktivitetin kriminal familjen e tij prej gjashtë anëtarësh si dhe dy bashkëpunëtorë, duke shkaktuar një dëm total prej rreth 1.5 milionë frangash zvicerane. Ai prezantohej si prijës fetar i mijëra ndjekësve dhe ndërkohë ndërtonte një rrjet firmash fiktive për të përfituar kredi bankare dhe ndihma shtetërore.

Hetimet nisën pas një bastisjeje policore në një vilë luksoze afër Cyrihut, për të cilën paguhej një qira marramendëse prej 24 mijë frangash në muaj. Gjatë kontrollit, u sekuestruan dokumente, pajisje elektronike dhe prova që zbuluan një sistem të sofistikuar mashtrimi, përfshirë bilance të falsifikuara dhe përfitime të paligjshme nga kreditë emergjente të Covid-19.

Pavarësisht se para institucioneve shtetërore deklaronte se nuk kishte të ardhura, familja jetonte në luks ekstrem. Sipas dosjes gjyqësore, ata zotëronin rreth 120 automjete, përfshirë marka luksoze si Porsche, Mercedes dhe Hummer. Vetëm për targa speciale, të cilat në Zvicër shiten në ankande si simbol statusi, ishin shpenzuar rreth 100 mijë franga.

Procesi gjyqësor zgjati gjashtë ditë dhe përfundoi me dënimin e shehut me 42 muaj burg dhe dëbim të detyrueshëm nga territori zviceran. Prokuroria kishte kërkuar një ndalim hyrjeje për 15 vjet, por gjykata vendosi një masë më të lehtë.

Anëtarët e tjerë të familjes, përfshirë ish-bashkëshorten dhe katër fëmijët, u liruan ose u dënuan me masa simbolike. Gjykata vlerësoi se familja funksiononte sipas një strukture të fortë patriarkale, ku çdo vendim merrej nga kryefamiljari. Fëmijët deklaruan se kishin firmosur dokumente pa dijeni për përmbajtjen e tyre, duke i besuar babait.

Madje, për shkak të paraburgimit të padrejtë, një vajzë dhe një djalë i tij do të përfitojnë rreth 70 mijë franga dëmshpërblim nga shteti zviceran, pasi gjykata theksoi se nuk mund të ketë përgjegjësi kolektive për veprimet kriminale të një individi.

Gjatë seancës, i dënuari kërkoi falje, duke pretenduar se kishte përdorur familjarët për të mos u ekspozuar publikisht si drejtues biznesesh, për shkak të rolit të tij fetar. Gjykata, megjithatë, arriti në përfundimin se aktiviteti kriminal ishte përshkallëzuar me kalimin e kohës dhe se dënimet e mëparshme nuk kishin pasur asnjë efekt ndalues. Një nga ndihmësit e tij u dënua me kusht, ndërsa vendimi për bashkëpunëtorin tjetër pritet të shpallet në vijim.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.