E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Mashtrimet me Call Center-at, prokuroria çon në gjyq tre persona
Lajme

Mashtrimet me Call Center-at, prokuroria çon në gjyq tre persona

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm në Tiranë ka përmbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre shtetas të përfshirë në një skemë të sofistikuar mashtrimi online. Nën akuzë janë K.S., F.K. dhe E.A., përkatësisht për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Moskallëzim i krimit”.

Sipas dosjes hetimore, procedimi nisi pas informacioneve operative për zhvillimin e një aktiviteti të paligjshëm në një ambient të përshtatur si zyrë në zonën e Selitës, në Tiranë. Gjatë kontrollit në ambientet e identifikuara, autoritetet konstatuan disa persona të vendosur në poste pune të organizuara në formën e një “call center”-i, ku zhvillohej aktiviteti i dyshuar kriminal.

Nga verifikimet rezultoi se K.S. dhe F.K. kishin rol kyç në funksionimin e skemës, duke u marrë me rekrutimin dhe orientimin e punonjësve. Ata u shpjegonin të rinjve mënyrën e operimit, e cila konsistonte në kontaktimin e shtetasve të huaj që kishin humbur para në investime apo platforma të ndryshme online, duke u premtuar rikuperimin e shumave të humbura.

Hetimet zbuluan se operatorët mblidhnin të dhëna të detajuara nga viktimat, përfshirë mënyrën si kishin humbur paratë, kompanitë me të cilat kishin bashkëpunuar dhe gjendjen e tyre financiare. Më pas, ata i bindnin se ekzistonte një mundësi reale për kthimin e fondeve, duke i kaluar rastet tek personat përgjegjës për fazën e mëtejshme të komunikimit dhe “trajtim të dosjes”.

Në vijim të hetimeve, u bë arrestimi i K.S. dhe F.K., të cilët tashmë përballen me akuzën e mashtrimit kompjuterik, ndërsa E.A. është marrë i pandehur për moskallëzim krimi.

Rasti konsiderohet një tjetër goditje ndaj rrjeteve të mashtrimit online që operojnë përmes “call center”-ave, duke shfrytëzuar viktima jashtë vendit përmes skemave të njohura si “recovery scam”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.