Macron në një skenar të përsëritur: Kërkon mandatin e dytë si president përballë Le Pen
Franca mban këtë të dielë raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, ku do garojnë 12 kandidatë, mes tyre dhe Emmanuel Macron.
Presidenti aktual konsiderohet si favorit për të fituar mandatin e dytë, por shefi i elizesë po përballet me një skenar të përsëritur, teksa përballë ka sërish kandidaten e ekstremit të djathtë Marine Le Pen, njësoj si në 2017.
Sondazhet e opinionit kanë parashikuar prej kohësh që Macron do të fitojë një mandat të dytë, por Le Pen e ka ngushtuar hendekun, me një avantazh prej vetëm gjashtë pikësh në balotazhin e mundshëm më 24 prill.
Kryetari i shtetit e ka përqendruar fushatën e tij në përballimin e krizës së shkaktuar nga lufta ruse në Ukrainë duke premtuar më shumë drejtësi sociale dhe ndihma të fuqisë blerëse. Macron njoftoi investime dhe përmirësime të mëtejshme për sistemin shëndetësor dhe arsimor ndërsa pensioni minimal duhet të jetë 1.100 euro në të ardhmen.
Madje në përpjekje për tu shfaqur më afër popullit, Macron bëri disa dalje publike duke u shfaqur me veshje civile, ashtu si presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Kandidatët e tjerë përfshijnë konservatoren Valérie Pécresse, socialisten dhe kryebashkiaken e Parisit Anne Hidalgo, politikanin e majtë Jean-Luc Mélenchon, publicistin e ekstremit të djathtë Éric Zemmour si dhe Yannick Jadot i të Gjelbërve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



