Magyar ‘shkërmoq’ 4iG, aksionet e pronarit të One Albania bien me 14.5%
Aksionet e grupit hungarez 4iG, që zotëron kompaninë One Albania, pësuan një rënie të fortë gjatë ditës së hënë, pas deklaratave të ashpra politike në Hungari ndaj grupit dhe drejtuesve të tij. Në përfundim të sesionit, aksionet e kompanisë humbën rreth 14.5% të vlerës.
Në bursën hungareze, aksionet e 4iG u tregtuan nën nivelin e 1,590 forintave në mbyllje, ndërsa seanca e tregtimit ishte hapur në rreth 1,790 forinta. Rënia e fundit e ka thelluar ndjeshëm humbjen e kompanisë në tregjet financiare.
Vetëm gjatë pesë ditëve të fundit, 4iG ka humbur më shumë se 18.5% të vlerës së saj në bursë. Nëse krahasimi bëhet me fundin e vitit të kaluar, rënia e kapitalizimit të kompanisë është edhe më e theksuar, duke arritur në rreth trefishin e humbjes së regjistruar në periudhën e fundit.
Presioni mbi grupin hungarez është shtuar pas deklaratave të kryeministrit hungarez Peter Magyar, i cili e ka akuzuar 4iG-në duke e cilësuar si një prej simboleve të oligarkisë në Hungari dhe si përfituese të mbështetjes politike e financiare të qeverisë së Viktor Orban.
Pasojat mund të prekin edhe Shqipërinë
Problemet financiare dhe politike që po përjeton 4iG mund të kenë ndikim edhe në tregun shqiptar, për shkak të ekspozimit të kompanisë së saj One Albania në sistemin bankar vendas.
One Albania është në pronësi të plotë të grupit 4iG dhe operon në tregun shqiptar të telekomunikacionit. Kompania ka një ekspozim të konsiderueshëm përmes kredive të marra në sistemin bankar shqiptar, ndërsa një kredi në vlerën rreth 40 milionë euro është nënshkruar vetëm pak javë më parë.
Nëse vështirësitë e grupit mëmë në Hungari do të thellohen, vëmendja pritet të përqendrohet edhe te aftësia e kompanive të kontrolluara prej tij për të përballuar detyrimet financiare dhe për të ruajtur aktivitetin normal.
Në Hungari, disa media pranë forcave politike në pushtet kanë hedhur pretendime se 4iG mund të përballet me vështirësi serioze financiare, nëse një qeveri e re do të ndërmarrë një hetim të gjerë mbi marrëdhëniet e kompanisë me pushtetin dhe do të ndërpresë mbështetjen shtetërore që, sipas këtyre raportimeve, grupi ka përfituar gjatë viteve të qeverisjes së Viktor Orban.
Në të njëjtën linjë, edhe një raportim i Bloomberg e ka përfshirë 4iG ndër grupet oligarkike që konsiderohen më të ekspozuara ndaj rrezikut financiar në rast të ndryshimit të politikave shtetërore në Hungari.
Nëse skenari i një përkeqësimi të mëtejshëm financiar të 4iG-së do të materializohej, çështja do të merrte rëndësi edhe për Shqipërinë. Arsyeja lidhet jo vetëm me pozicionin e One Albania në tregun e telefonisë celulare, por edhe me ekspozimin financiar të kompanisë ndaj sistemit bankar shqiptar.
Një goditje e rëndë ndaj grupit mëmë mund të hapte pikëpyetje mbi të ardhmen e One Albania dhe mbi pasojat e mundshme që një situatë e tillë do të kishte për tregun e telekomunikacionit dhe institucionet financiare që kanë ekspozim ndaj kompanisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




