Makina në Kukës del nga rruga dhe përfundon mbi një banesë
Një aksident i rëndë automobilistik është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Bicaj, në Kukës, ku një automjet tip “Volkswagen” me targa AA855VJ ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke përfunduar mbi një banesë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00, ndërsa përplasja ka shkaktuar panik dhe dëme të mëdha materiale. Si pasojë e aksidentit, kanë mbetur të plagosur drejtuesi i mjetit dhe dy pasagjerët që ndodheshin në automjet.
Të lënduarit kanë marrë ndihmën e parë në urgjencën e spitalit të Kukësit dhe më pas janë transportuar drejt Spitalit të Traumës për trajtim më të specializuar, për shkak të plagëve të pësuara.
Burime nga spitali bëjnë me dije se, pavarësisht dëmtimeve, të tre personat ndodhen në gjendje të qëndrueshme.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje.
Pamjet nga vendi i aksidentit tregojnë se automjeti ka dalë nga rruga me shpejtësi, duke goditur murin rrethues të banesës dhe më pas duke përfunduar mbi çatinë e saj. Si pasojë, dëmet materiale janë të konsiderueshme si për automjetin, ashtu edhe për pronën e familjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



