Kryetari i Dhomës së Avokatëve të Shqipërisë, Maks Haxhia ka deklaruar se ka mbetur i tronditur nga vrasja e avokatit Ravik Gurra dhe ka paralajmëruar bojkotim nga ana e anëtarëve të Dhomës së Avokatëve.
‘Jemi të tronditur nga ngjarja e ndodhur sot në Elbasan, ku u vra kolegu jonë dhe anëtari i Dhomës së Avokatisë, Ravik Gurra. Të hënën do bëjmë një mbledhje të jashtëzkonshme në lidhje edhe me këtë ngjarje. Duke marrë parasysh se çfarë po ndodh sot në vendin tonë, duket si një vrasje për shkak të detyrës. Ne do t’i bojkotojmë për një kohë të pacaktuar seancat ligjore’, ka thënë në një lidhje telefonike për Report Tv, Maks Haxhia.
Kreu i Dhomës së Avokatëve u shpreh se avokatët në sistemin gjyqësor të Shqipërisë ndihen të kërcënuar çdo ditë.
‘Në të gjithë sistemin gjyqësor të Republikës së Shqipërisë, avokatët çdo ditë ndeshen me këkrcënime. Duke marrë parasysh edhe nivelin kulturor këtu ne gjithsesi bëjmë përgjegjëse politikën shqiptare që ka krijuar një destabilitet dhe një klimë të tillë. Në emër të gjithë avokatëve të Shqipërisë, u bëj thirrje të gjithëve që të kenë më respekt për avokatët, i bëj thirrje gjykatësve të gjykojnë drejt dhe jo çdo përgjegjësi t’i bie avokatëve’, ka përfunduar Haxhia.



