Malazezët na “zhdepin” në dru bashkëkombësit në kufi, ne qajmë hallin e Luizit
Denis Dyrnjaja
Një skandal i madh ndërshtetëror që po kalon si një ngjarje periferike ka ndodhur se fundi. Shtetas të Republikës së Shqipërisë janë dhunuar fizikisht në doganën e Murriqanit që lidh Shqipërinë me Malin e Zi. Mes të dhunuarve është edhe këshilltari i ish Presidentit të Republikës Ilir Meta, z. Petraq Milo.
Ai njihet si njeri tepër i civilizuar, paqësor dhe qytetar i respektuar. Nëse shikon videon kupton përmasat e skandalit sesi policia kufitare malazeze keqtrajton fizikisht jo vetëm z Milo por disa shtetas shqiptarë kryesisht familjarë. Dhuna është disproporcionale, e pakuptueshme dhe sigurisht edhe e pajustifikueshme. Nëse kjo do t’i kishte ndodhur një shtetasi të çdo shteti tjetër, do të kishte patur reagime të forta qoftë institucionale e diplomatike, por veçanërisht mediatike të atij shteti që do t’i cenoheshin shtetasit e vet. Zero reagim në Shqipëri.
Në këtë ngjarje nuk janë dhunuar thjeshtë disa shtetas shqiptar, por është dhunuar dinjiteti i republikës e cila nuk është në gjendje t’iu dalë për zot shtetasve të saj. Dhuna e dukshme dhe e provuar me pamje vizive është një gjest i papranueshëm dhe për më tepër i dënueshëm. Mendoni çfarë do të ndodhte nëse policia shqiptare do të dhunonte shtetas civile serbë, malazezë, italianë apo grekë që futen në Republikën e Shqipërisë?! Përfytyroni notat e protestës, thirrjen e ambasadorëve, reagimin e mediave. E kundërta në Shqipëri. Ngjarja kalon si diçka periferike, si incident i zakonshëm dhe gati gati sikur nuk ka ndodhur.
Në prime time të TV kryesore dhe jo vetëm nuk kishte asnjë minutë dedikuar këtij incidenti të rëndë. Në lajme nuk gjen hapësirë ndërsa mund të hapeshin edicionet e lajmeve me këtë incident shumë të rëndë. U fol për lloj lloj teme, por për këtë incident që lidhet me dinjitetin e shtetit e shtetasve, zero vëmendje. Ky është një vend ku ka humbur vlerësimi dhe gjykimi objektiv mbi interesin publik dhe realitetin. Merren të gjithë me shumëçka dhe asgjë njëkohësisht. Kemi hyrë në epokën e kotësisë ku siç thotë një shprehje e hershme popullore “hedhim të gjithë ujë në hava”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



