Manjani sulmon Xhafajn: Po silleni si komitet partie në gjykata!
Juristi Ylli Manjani ka reaguar ashpër ndaj inspektimeve që Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, i drejtuar nga Fatmir Xhafaj, po zhvillon në gjykata dhe prokurori.
Në një reagim publik, Manjani i krahasoi këto vizita me praktikat e vjetra të kontrollit politik, duke i cilësuar si veprime pa zgjidhje reale për problemet e sistemit të drejtësisë. Sipas tij, inspektimet e deputetëve në institucionet e drejtësisë nuk sjellin përmirësim të sigurisë apo funksionimit të tyre.
Ai përdori edhe tone ironike, duke i krahasuar situatat me skena filmash dhe me mënyrën e veprimit të strukturave të dikurshme partiake, duke theksuar se këto “inspektime” nuk i shërbejnë reformimit të sistemit.
Manjani u shpreh se Parlamenti nuk është institucion policor dhe nuk mund të marrë rolin e gardës apo të sigurisë për gjykatat dhe prokuroritë. Sipas tij, detyra e vetme e deputetëve është hartimi dhe përmirësimi i ligjeve që rregullojnë funksionimin e shtetit.
Ai theksoi se reforma në drejtësi, pas rreth një dekade nga nisja, ka nevojë për rishikim dhe përmirësim të thelluar. Sipas Manjanit, një pjesë e problemeve aktuale burojnë nga ligje të hartuara me mangësi dhe të miratuara me shpejtësi, pa debat të mjaftueshëm.
Juristi nënvizoi se sistemi ka nevojë për riformatim të politikave të personelit në gjykata dhe prokurori, për më shumë gjyqtarë aktivë dhe për një drejtësi të paanshme. Ai shtoi se Parlamenti duhet të fokusohet në përmirësimin e legjislacionit dhe funksionimit të reformës, duke i dhënë asaj një mundësi të re për të funksionuar siç duhet.
Reagimi i Manjanit
Këto vizitat inspektuese në gjykata e prokurori të Fatmir Xhafës apo të dërguarve të tij, ngjajnë si ai “Inspektori” te magazina e Shaqo Bregut (filmi Në fillim të Verës).
-Udhëroni zoti inspektor! Aaaa dyer, dritare i kam siguruar më së miri…
– Janë disa çiliminj që duan të dëmtojnë perandorinë…
Dhe në fund i vodhën letrën Shaqo ziut…
Tani, këto dacibao që vijnë nga mendësia e komiteteve qëndrore të partisë e rinisë, nuk janë zgjidhje për asgjë. As për sigurinë e gjykatave.
Parlamenti nuk është as policia e as garda. Aq më pak Fatmiri dhe deputetët në parlament qenkan bodyguardët e gjykatësve apo prokurorëve.
Parlamenti dhe deputetët e tij kanë vetëm një detyrë:
Të bëjnë e korrektojnë ligje.
Reforma në drejtësi, sot pas 10 vitesh ka nevojë për rishikim dhe përmirësim. Çdo reformë në këtë afat ka nevojë për rishikim.
Gjithçka që ndodh gabim sot, vjen më së shumti për shkak të ligjeve gropa-gropa të reformës. Ligje të shkruara keq të miratuara pa debat e me shpejtësi.
Veçanërisht drejtësia penale dhe politika e personelit në gjykata e prokurori duhet riparë e riformatuar.
Mbi të gjitha sistemi ka nevojë për më shumë gjykatës në punë dhe gjykatë të paanshme.
I duhet dhënë edhe një shans reformës të mbijetojë deri sa Shqipëria të ketë një Kushtetutë të re, që të mbyllë njëherë e mirë gjyqet e Nurembergut ndaj shtetasve të vet.
Me këto gjëra duhet të merret parlamenti dhe jo me punë policësh e bodyguardësh.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



