E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Marjana Koçeku krah studentëve në protestë: O sot o kurrë!
Lajme

Marjana Koçeku krah studentëve në protestë: O sot o kurrë!

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka shprehur mbështetjen e saj për protestën e studentëve, duke kundërshtuar pretendimet se tubimet kundër qeverisë dëmtojnë imazhin e Shqipërisë dhe perspektivën e integrimit europian. Sipas saj, pengesat reale në rrugën drejt Bashkimit Europian janë korrupsioni dhe mungesa e demokracisë.

Koçeku e cilësoi protestën si një shprehje të rëndësishme të demokracisë dhe një të drejtë legjitime të studentëve. Ajo theksoi se qytetarët duhet të kenë mundësinë të shprehin pakënaqësitë e tyre dhe të kërkojnë llogari nga institucionet, pa u konsideruar si faktorë që dëmtojnë vendin.

“E mbështes shumë këtë protestë, është frymëmarrje e demokracisë. Është e drejtë e studentëve. Nuk jam dakord që kjo protestë po e dëmton Shqipërinë drejt BE. Ajo që dëmton imazhin e Shqipërisë dhe rrugën drejt BE është korrupsioni dhe mungesa e demokracisë”, deklaroi deputetja.

Përveç mbështetjes për studentët, Koçeku ngriti edhe çështjen e funksionimit të partive politike në Shqipëri, duke argumentuar se ato kanë nevojë për ndryshime të brendshme dhe më shumë hapësirë për debat e mendim kritik.

Ajo u ndal veçanërisht te Partia Socialiste, si forca politike që drejton qeverinë, duke nënvizuar nevojën për një dialog më të hapur dhe për qëndrime kritike brenda saj. Sipas Koçekut, mbështetja e protestës nga zëra të ndryshëm politikë është e rëndësishme në një moment kur studentët po kërkojnë ndryshim.

“Partitë politike në Shqipëri kanë nevojë për reformim, për demokraci të brendshme. Si partia që është në pushtet, PS ka nevojë për një dialog më të shëndetshëm dhe nevojë për zëra më kritikë, që mbështesin këtë protestë, o sot o kurrë”, u shpreh ajo.

Deklarata e deputetes së pavarur vjen në një klimë të tensionuar politike, ku protestat e studentëve janë shndërruar në një tjetër front përballjeje me qeverinë. Qëndrimi i Koçekut e zhvendos vëmendjen te përgjegjësia e institucioneve dhe e partive politike, duke vënë në pikëpyetje argumentin se protestat qytetare përbëjnë pengesë për integrimin europian.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.