Masakër brenda shkollës në Turqi, 4 të vrarë dhe 20 të plagosur

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Momenti kur autori qëllon me armë dhe u merr jetën nxënësve

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Turqi, ku një sulm i armatosur brenda një shkolle ka shkaktuar viktima dhe panik të madh.

Sipas raportimeve nga mediat turke, incidenti i rëndë u regjistrua në qytetin Kahramanmaraş, ku një person i armatosur hapi zjarr ndaj nxënësve dhe stafit brenda ambienteve të institucionit arsimor.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentet dramatike kur autori qëllon pa paralajmërim, duke krijuar kaos dhe frikë mes të pranishmëve.

Bilanci i sulmit është i rëndë: katër persona kanë humbur jetën, mes tyre një mësues dhe tre nxënës, ndërsa 20 të tjerë kanë mbetur të plagosur. Autoritetet bëjnë me dije se katër prej të plagosurve ndodhen në gjendje kritike dhe po marrin trajtim intensiv në spital.

Sipas të dhënave paraprake, autori ka përdorur pesë armë të ndryshme dhe shtatë karikatorë, të cilat dyshohet se i përkisnin babait të tij, një ish-oficer policie. Ky i fundit është vënë në pranga nga autoritetet për hetime të mëtejshme.

Guvernatori i Kahramanmaraş ka deklaruar se motivet e sulmit mbeten ende të paqarta. Ndërkohë, është konfirmuar se autori i ngjarjes i ka dhënë fund jetës menjëherë pas sulmit.

Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet që çuan në këtë tragjedi të rëndë.

Publikuar nga Publik Media