Mashtrimi me miliona euro, Roy Garin humb betejën në Shqipëri
Pse nuk arresohen bashkëpunëtorët shqiptarë të izraelitit?
Izraeliti Roy Garin, 43 vjeç, i konsideruar si një nga figurat më të spikatura të skemave të mashtrimit me investime online në Evropë, ka pësuar humbjen përfundimtare në drejtësinë shqiptare, duke i hapur rrugë ekstradimit të tij drejt Gjermanisë.
Garin, i cili dyshohet se operonte nën disa identitete të rreme si Mikael Finkle, Jean Merignac, Roy Garine dhe Mike, akuzohet se ka drejtuar një rrjet ndërkombëtar mashtrimi që u ka marrë miliona euro qindra qytetarëve përmes platformave të falsifikuara të investimeve online.
Ai u vu në pranga në Tiranë më 4 shkurt 2025, gjatë një operacioni të koordinuar mes autoriteteve shqiptare dhe hetuesve gjermanë. Megjithatë, bashkëpunëtorët e tij të dyshuar në territorin shqiptar nuk janë arrestuar ende.
Sipas autoriteteve gjermane, janë dokumentuar 288 viktima të këtij rrjeti, të mashtruara përmes 33 platformave të rreme investimi, ndërsa dëmi ekonomik i shkaktuar arrin në 26,107,648.82 euro.
Hetimet sugjerojnë se kjo shumë mund të përfaqësojë vetëm një pjesë të aktivitetit kriminal, duke e pozicionuar Garinin si një nga organizatorët më të mëdhenj të mashtrimeve online të lidhura me Call Center-at në shkallë ndërkombëtare.
Më 5 maj 2026, Gjykata e Lartë e Shqipërisë vendosi të lërë në fuqi ekstradimin e tij në Gjermani. Më herët, në shtator 2024, Gjykata Federale e Bambergut kishte lëshuar urdhër arresti ndaj tij, pas akuzave të Prokurorisë gjermane për “mashtrim në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal”.
Gjatë procesit gjyqësor në Shqipëri, mbrojtja e Garinit argumentoi se ekstradimi do ta ekspozonte atë ndaj diskriminimit dhe trajtimit çnjerëzor për shkak të origjinës së tij izraelite dhe hebraike. Në këtë kontekst, u referua raporti RIAS 2024, i cili evidenton mbi 8,600 incidente antisemitike në Gjermani vetëm në gjysmën e parë të vitit, pas konfliktit të tetorit 2023.
Megjithatë, Gjykata e Lartë i rrëzoi këto pretendime, duke i cilësuar të pabazuara si në aspektin ligjor ashtu edhe në atë faktik.
Sipas dosjes hetimore gjermane, Roy Garin ka qenë një nga drejtuesit kryesorë të këtij grupi kriminal, i cili ka operuar nga janari 2015 deri në tetor 2022. Prokurorët theksojnë se skema funksiononte në mënyrë sistematike, duke mashtruar investitorët përmes platformave të rreme financiare, ku fondet e tyre nuk investoheshin kurrë, por përdoreshin për përfitime të paligjshme.
Si bashkëdrejtues i rrjetit përmendet Arthur Visokowski, ndërsa hetimet kanë identifikuar edhe persona të tjerë me pseudonimet “Marina”, “Antoine” dhe “Irina”, të cilët dyshohet se kishin role të rëndësishme në funksionimin e skemës.
Autoritetet gjermane nënvizojnë se anëtarët e grupit ishin plotësisht të vetëdijshëm për natyrën mashtruese të aktivitetit dhe se viktimat nuk do të kishin transferuar kurrë paratë nëse do të kishin dijeni për skemën. Sipas tyre, fondet humbnin që në momentin e pagesës.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar dokumente identifikimi dhe prova të tjera që e lidhin Garinin me identitetet e rreme Michael Finkle, Mike dhe Jean Merignac, të cilat dyshohet se janë përdorur për të maskuar aktivitetin kriminal.
Aktualisht, mbetet vetëm firma e Ministrit të Drejtësisë për të finalizuar procedurën e ekstradimit të Roy Garinit nga Aeroporti i Rinasit drejt Gjermanisë, ku ai do të përballet me akuzat për mashtrim në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, së bashku me Arthur Visokowskin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



