Mbledhja e Këshillit të Mandateve, zbardhet lëvizja e fundit e Ballukut
Teksa pritet të mblidhet Këshilli i Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Balluku, zv/kryeministrja ka refuzuar të marrë pjesë në mbledhje.
Mësohet se në sallën e mbledhjes, në Kryesinë e Kuvendit, kanë mbërritur përfaqësuesit e SPAK, përfshirë kreun Klodian Braho dhe prokurorët Dorina Bejko dhe Dritan Prençi.
Në mbledhje pritet të jenë të pranishëm 10 anëtarë të Këshillit të Mandateve, pesë deputetë të shumicës socialiste dhe pesë nga opozita. Kërkesa për heqjen e mandatit të Ballukut ka mbërritur në Kryesinë e Kuvendit më 16 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa Këshilli mblidhet pasi Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë rrëzoi kërkesën e qeverisë për pezullimin e masës së GJKKO, e cila e shkarkoi nga funksionet publike.
Akuzat ndaj Ballukut
Numri dy i qeverisë është marrë e pandehur për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje me tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Ajo është gjithashtu nën hetim për procedurën e prokurimit për lotin 4 të Unazës së Madhe.
SPAK ka bërë me dije se Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim edhe për shtatë procedura të tjera prokurimi, mes tyre:
-
“Sheshi Shqiponja–Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;
-
“Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri, Loti 2”;
-
“Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri–Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;
-
“Unaza e Jashtme Tiranë, Lotet 4, 5, 6 dhe 7”.
Sipas organit të akuzës, hetimet për këto procedura rëndojnë më tej pozitën e saj përballë drejtësisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



