Mbyllet kapitulli Dumani, Braho merr sot në dorëzim çelësat e SPAK
Sot në orën 10:00, në Prokurorinë e Posaçme, do zhvillohet ceremonia e kalimit të detyrës nga Altin Dumani te kryetari i ri i SPAK, Klodian Braho, i zgjedhur me 7 vota nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).
Ky moment konsiderohet i rëndësishëm për SPAK, duke garantuar vazhdimësinë e punës së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe forcimin e mëtejshëm të saj. Mandati i kreut të ri është 3-vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.
Altin Dumani, pasardhës i Arben Krajës, do të vijojë të shërbejë si prokuror në SPAK deri në vitin 2028, kur i përfundon mandati 9-vjeçar. Dumani mbyll kështu ciklin e tij si drejtues, ndërsa ka bërë të qartë kërkesat për mundësinë e rikandidimit të prokurorëve të SPAK, një debat që ka qenë i vazhdueshëm në publik.
Kush është Klodian Braho?
Klodian Braho u emërua prokuror më 14 nëntor 2007, duke nisur një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë shqiptare.
-
2007–2012: Prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat.
-
2012–2015: Prokuror pranë Prokurorisë së Vlorës dhe zëvendësdrejtues i saj. Gjatë kësaj periudhe, Braho spikati me hetimin e ish-kryebashkiakut Shpëtim Gjika për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh në dhënien e lejeve të ndërtimit.
-
2015–2019: Prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Një nga rastet më të bujshme ishte hetimi ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, simbol i llogaridhënies në nivelet e larta të drejtësisë.
Si pjesë e SPAK, Braho ka udhëhequr hetime me ndikim të gjerë publik:
-
Dosja e inceneratorëve të Elbasanit: Lëshoi urdhër-arreste për Mirel Mërtirin, Stela Gugalljan dhe Klodian Zoton, duke përfshirë edhe ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj. Ky është një nga rastet e pakta që ka përfunduar me vendim të formës së prerë, me 9 të dënuar, përfshirë ish-ministrin Lefter Koka, i dënuar me 6 vite e 8 muaj për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.
-
Dosja “5D”: Përfshiu ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës.
-
Dosja “Toyota Auris”: Hetime për disa fraksione dhe persona të drejtësisë.
-
Braho ka qenë gjithashtu pjesë e grupit të prokurorëve që kanë firmosur dosjen ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, për “shpërdorim detyre” në lidhje me masakrën e Gërdecit.
Me këtë kalim detyre, SPAK synon të forcojë më tej pavarësinë dhe efektivitetin e hetimeve të saj, duke garantuar drejtësi në nivele të larta për rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



