Me arsenal armësh në studion e tatuazheve, arrestohet 44-vjeçari
Një operacion policor i zhvilluar në Durrës ka çuar në arrestimin në flagrancë të një 44-vjeçari, i dyshuar për posedim dhe trafikim të armëve dhe municionit.
Sipas informacioneve zyrtare, në pranga ka rënë shtetasi me iniciale V. R., banues në Durrës, i cili ushtronte aktivitetin e tij në një studio tatuazhesh në lagjen nr. 4 të qytetit.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga strukturat e specializuara të Policisë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës, u zbuluan dhe sekuestruan një sërë materialesh të rrezikshme. Mes tyre përfshihen një pistoletë, një armë zjarri tip kallashnikov, një granatë, dy krehra si dhe municion luftarak i kalibrave të ndryshëm.
Po ashtu, në ambientet e kontrolluara u gjetën edhe një armë e ftohtë (dorezë metalike), një palë pranga që ngjajnë me ato të Policisë, mjete për pastrimin e armëve si dhe një telefon celular.
44-vjeçari dyshohet për disa vepra penale, përfshirë mbajtjen pa leje të armëve dhe municionit, trafikimin e tyre, si dhe posedimin e armëve të ftohta dhe të uniformave pa të drejtë.
Ndërkohë, autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për të zbuluar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



