E mërkurë, 4 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Më çoni në Spaç, nuk më përkulni dot”, Veliaj u nxjerr “të palarat” Toni Gogut dhe Ramës
Lajme

“Më çoni në Spaç, nuk më përkulni dot”, Veliaj u nxjerr “të palarat” Toni Gogut dhe Ramës

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka bërë publike përmbajtjen e përgjigjeve që thotë se i ka dhënë ministrit Toni Gogu gjatë një bisede në burgun e Fierit, duke zbuluar një komunikim të mbushur me akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, kundërshtime për kushtet e izolimit dhe pretendime për ndërhyrje në drejtimin e Bashkisë së Tiranës.

Në mesazhet e publikuara prej tij, Veliaj shprehet se transferimin nga burgu i Tiranës drejt atij të Fierit e konsideron një përpjekje për ta larguar nga familja dhe për ta vënë nën presion. Ai i drejtohet Gogut duke i thënë se nuk e konsideron atë autor të vendimit, por thjesht përcjellës të një mesazhi, ndërsa përgjegjësinë politike ia adreson drejtpërdrejt Ramës.

Një nga pjesët më të forta të reagimit lidhet me pretendimin se kryeministri po përpiqet ta intimidojë përmes izolimit dhe kufizimeve në burg.

“Jo këtu, po në Spaç të më çoni 100 vjet, nuk më përkulni dot. Ta harrojë R.”, shkruan Veliaj në përgjigjet e publikuara.

Ai shkon më tej, duke ngritur pretendime për komunikime mes kryeministrit dhe prokurorëve lidhur me akuzat që rëndojnë ndaj tij dhe dënimin e mundshëm. Veliaj e cilëson të papranueshme atë që përshkruan si negociim për numrin e akuzave dhe vitet e burgut, ndërsa vë në pikëpyetje edhe mesazhet që, sipas tij, i janë përcjellë për takimet me familjen.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e komunikimit lidhet me protestat kundër qeverisë. Veliaj mohon kategorikisht të ketë organizuar apo financuar protestat e studentëve dhe lëvizjen e protestuesve të quajtur “Flamingot”.

Ai i konsideron pretendimet për përfshirjen e tij si përpjekje për të krijuar një armik të brendshëm, duke i krahasuar këto akuza me praktikat e kohës së regjimit komunist.

“Unë nuk jam organizator e financues as i Flamingove, as studentëve. Këto janë gjepura si në kohë të Enverit! Ku është katandisur shteti, gjeti armikun e brendshëm”, shprehet kryebashkiaku.

Në të njëjtën përgjigje, Veliaj kundërshton edhe pretendimet se mund të ketë nxitur përmbysjen e rendit kushtetues nga burgu, duke i cilësuar absurde akuzat që, sipas tij, i janë komunikuar.

Ai përmend gjithashtu qëndrimet e tij publike për UÇK-në dhe Hashim Thaçin, si dhe reagimin ndaj presidentit serb Aleksandër Vuçiç, duke theksuar se nuk tërhiqet nga ato që ka shkruar.

Përplasja për Bashkinë e Tiranës dhe refuzimi për të deleguar drejtimin

Në pjesën e dytë të përgjigjeve, Veliaj ndalet te drejtimi i Bashkisë së Tiranës dhe përplasjet brenda Partisë Socialiste. Ai deklaron se nuk ka ndërmend të delegojë sërish drejtimin e institucionit, duke iu referuar periudhës 18-mujore kur, sipas tij, nuk e ka ushtruar vetë këtë funksion.

Veliaj pretendon se gjatë asaj kohe nuk janë realizuar investime të rëndësishme dhe se janë bllokuar projekte të ndryshme, përfshirë shkolla, kredi të buta dhe financime ndërkombëtare.

Në mesazhin e tij rendit një sërë problematikash, duke përdorur shprehjen “zero” për shkollat, pemët e mbjella, investimet e reja, vendimet e rëndësishme dhe kreditë e lëshuara.

Ai pretendon se pas rikthimit në drejtimin e bashkisë janë zhbllokuar gjashtë shkolla dhe janë dhënë mbi 1,500 kredi të buta.

Kryebashkiaku argumenton se mandati i tij buron nga vota e qytetarëve dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duke përmendur edhe mbështetjen prej rreth 160 mijë votash. Për këtë arsye, kundërshton idenë e një delegimi tjetër të drejtimit të institucionit.

Në këtë kontekst, ai kritikon mënyrën se si janë bërë emërimet dhe ndryshimet në administratën bashkiake, duke përmendur emra si Etleva, Sadi dhe Sara, për të cilët shpreh vlerësime pozitive.

Veliaj përmend edhe Arbrin, duke thënë se nuk e konsideron person me probleme, por se nuk do të pranojë më t’ia delegojë atij drejtimin e bashkisë.

Çfarë u diskutua me Plaron?

Në pjesën e tretë, Veliaj zbardh edhe përgjigjet që thotë se i ka dhënë personit që në mesazhe e identifikon si Plaro, duke folur për raportet me këshilltarët, izolimin dhe takimet në burg.

Ai pretendon se për rreth 20 muaj nuk i është lejuar të ketë këshilltarë të tjerë dhe se, për pasojë, i është dashur të mbështetet te një numër shumë i kufizuar personash.

Në këtë pjesë, Veliaj ngre sërish pikëpyetje mbi rolin e kryeministrit në vendimmarrjet që lidhen me kushtet e qëndrimit në burg, takimet dhe vizitat mjekësore.

Ai tregon se komunikimi me Plaron ka zgjatur deri në mesnatë dhe se gjatë takimit ka marrë dy libra, për të cilët e ka falënderuar. Sipas përshkrimit të tij, pas largimit të mikut dhe drejtorit të burgut, është rikthyer në qeli me paterica.

Në përfundim, Veliaj thotë se i ka përcjellë urimet e tij, por ka refuzuar çdo propozim që ai e konsideron si përfshirje në afera të paligjshme.

Përmes këtij publikimi, Erion Veliaj ka hedhur në publik një sërë pretendimesh për raportet me kryeministrin Edi Rama, mënyrën e trajtimit të tij në burg dhe konfliktin për drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Të gjitha këto qëndrime janë pjesë e versionit të paraqitur prej vetë Veliajt në përgjigjet e publikuara prej tij.

Më poshtë, janë përgjigjet e plota, të zbardhura nga Veliaj:

Përgjigjet e mia: TG

1 – Transferim si “nder” + protestat

– E kuptoj që je veç lajmësi, jo autori – s’të vë faj ty, mbetesh miku im, pavarësisht rolit.

– Turp që KM merret vetë me internimet.

– Nëse R. mendon se duke më larguar dhe izoluar nga familja bëhet i madh – he belittles himself – dhe gardianët në burgje e tallin.

– Bëtë goditje të madhe, për të dalë kaq të vegjël, pity.

– Më çoni dhe në Spaç po deshët, nuk përkulem e nuk shantazhohem.

– Çfarë “nderi” duhet t’i njoh KM? Që negocion me prokurorët për sa akuza do kem e sa vite do marr?

– Ç’a dmth hera e fundit si baba? Kërcënim?

– Kjo e prok që thua “duan të më hanë të gjallë, e më duan të vdekur” është turp për ju që bëni këto muhabete

– Nuk jam organizator e financues as i Flamingove, as studentëve – këto janë gjepura si në kohë të Enverit! Ku është katandis shteti, gjeti armikun e brendshëm

– Kur ruaja unë Tiranën nga dhuna 54 javë digjej bashkia s’ju akuzoja ju dhe pse digjej BT me molotovë e s’lëvizi gishtin kush.

– Si mund të rrëzoj rendin kushtetues nga burgu? A jeni në vete apo e thoni të qetësohet KM? I kuptoni fjalët që thoni? Ju paska thënë dhe terrorizëm! HAHA

– Unë nuk i bie shtëpisë sime me gurë. PS jo e jo, po flas Tiranën. Jam marrë me çdo semafor, pllakë në shesh, sinjalistikë etj. më dhemb më shumë se të gjithë ju bashkia.

– Po ju s’keni nga ta dini, keni një qeveri ku asnjë ministër s’ka bërë një ditë opozitë.

– Unë isha aty në 21 janar, aty për grevën e urisë, aty në “28 janar” (e di KM sh mirë), e verën 2011 me R e lanë të gjithë vetëm.

– Ku ishin këta sot ministra? Ndaj e kanë kollaj ta gjënjejnë e helmojnë, me “armiq të brendshëm” se s’kanë as memorie, sillen si palaçot tek “rrobat e mbretit”

– Bëra dy postime politike vetëm – 1 për Hashën dhe UÇK + 1 për Vuçiçin. Nuk flisni me mua 20 muaj e ju kap tartakuti e merreni me birucat. I qëndroj postimeve, ju merruni me birucat.

– Përgjigja për KM është: Nuk i organizoj protestat, po as nuk më intimidon dot me këto sajesa që i përbuz me neveri. Fuckin’ groë up, ku ju del koha të merreni.

– Jo këtu, po në Spaç të më çoni 100 vjet nuk më përkulni dot. Ta harrojë R.

2

– Nuk e delegoj BT. E delegova 18 muaj. Mandatin ma dha GJK dhe populli i majtë e qytetar 160 mijë vota

– 0 shkolla

– 0 pemë të mbjella

– 0 investime të reja

– 0 vendime të rëndësishme

– 0 kredi të lëshuara, madje humbëm dhe Katarin te Bulevardi Ri, dhe BEI te Lana

– Në pak javë që e mora u zhbllokuan 6 shkolla në shtator, +1500 kredi të buta

– Jo se jam më i afti, po se jam zgjedhur, ndaj dhe më i përgjegjshëm

– KM premtoi do merrej vetë, po plehrat u bënë mullar, ikën socialistët dhe sollët Dash Sulën e vogël që vinte gjoba. Pse mbaruan njerëzit që sollën fitoret me PS?

– Riktheva Bashkinë te Socialistët e qytetarët; Etleva 24 karat socialiste e jona, e ndershme e aftë.

– Sadi ish prefekt e deputet socialist, me kontribute si tironc e në PS.

– Sarën që fëmijë e kam pasur në FRESSH – ka dhënë vitet më të mira në PS+BT

– PS nuk rritet nga skorjet që hedh saliu, po nga promovimi i të rinjve brenda e jashtë PS

– Ndaj hajt ta promovojmë Arbrin, s’është djalë i keq, por delegimin nuk e bëj më

– Fool me once, shame on you, Fool me tëice, shame on me

3

Përgjigja për Plaron

– 20 muaj s’më latë asnjë këshilltar tjetër. Ti vetë vjen pas 2 vjetësh. Me kë të këshillohem unë? Me muret?

– A më thua që KM cakton birucat, takimet, vizitat në spital? Ç’a më thua këshillohu?

– A ju shkruajti në chat grupe për Etjenin, mos u merrni?

– Plaro m’u bë shok, mik e avokat. Para vakisë ishim bashkëpunëtorë, po ngaqë ju ikët a s’ju la udhëheqësi, mbeta veç me Plaron e tani them më mirë 1 Ii saktë se 1000 servilë kot.

– 24:00 e mbyllëm. Më solli dy libra e falenderova, ai u largua me drejtorin, unë u riktheva në qeli me paterica.

– I urova të mira e të fala, po nuk pranoj afera të paligjshme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.