Me drogë dhe armë zjarri, kapet 28-vjeçari në Tiranë
Operacioni policor i koduar “Shkolla të pastra” ka vijuar në Tiranë me arrestimin e një 28-vjeçari të shpallur në kërkim, i dyshuar për përfshirje në aktivitetin e shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Në kuadër të aksionit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, kanë ndërhyrë në një banesë në rrugën “Rreshit Petrela”, pasi kishin siguruar informacion mbi vendndodhjen e personit të kërkuar.
Gjatë kontrollit të banesës, efektivët kanë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri, pistoleta, së bashku me municion luftarak, të cilat dyshohet se 28-vjeçari i posedonte në mënyrë të paligjshme.
Në banesë është gjetur gjithashtu një sasi prej 363 gramësh lëndë e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në 235 doza, duke ngritur dyshimin se ajo ishte për qëllim shitjeje. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe një peshore elektronike.
Në pranga ka përfunduar Orges Ferazini, 28 vjeç, banues në Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Shkolla të pastra”.
Ndaj Ferazinit, Gjykata e Tiranës kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Sipas Policisë, hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rolin dhe përfshirjen e 28-vjeçarit në veprimtari të dyshuara kriminale. Paralelisht, po punohet edhe për lokalizimin dhe arrestimin e personave të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të të njëjtit operacion.
Materialet procedurale lidhur me rastin i janë referuar Prokurorisë për vijimin e veprimeve hetimore dhe procedurale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



