Me gola dhe asiste, legjionarët Kuq e Zi shkëlqejnë në kampionate
Arbër Hoxha po kalon një moment fantastik me Dinamo Zagreb. Pas paraqitjes shumë të mirë në Europa League ndaj Fenerbahçes, ku skuadra kroate fitoi 3-1 dhe Hoxha u dallua me një gol dhe një asist, ai shkëlqeu edhe në kampionat ndaj Slaven Belupo. Në fitoren 4-1, Hoxha zhbllokoi rezultatin në minutën e 41-të dhe në kohën shtesë të pjesës së parë dha asistin për golin e dytë të Kulenovic.
Sulmuesi Indrit Tuci rikthehet fuqishëm në kampionatin turk me Kayserispor, ku shënoi golin e parë për skuadrën e tij. Tuci, i aktivizuar nga stoli, ishte vendimtar në fundin e takimit duke shënuar golin e barazimit ndaj Genclerbirligi.
Mesfushori Medon Berisha dha kontributin me një asist në barazimin 2-2 të Lecce ndaj Bolonjës. Ai harkoi saktë për Camardan në fundin e ndeshjes, duke i siguruar një pikë të vlefshme skuadrës së tij.
Taulant Seferi ishte protagonist me dy asiste në fitoren e thellë 4-0 të Bodrumspor në transfertë ndaj Manisaspor. Ai asistoi për Dumanlin në minutën e 47-të dhe më pas për Brazaon në të 51-ën, duke ndihmuar skuadrën të marrë kreun e kampionatit turk pas tetë javësh me 17 pikë.
Titullarë këtë javë ishin edhe Thomas Strakosha, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Ardian Ismajli, Qazim Laçi, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Adrion Pajaziti, Jasir Asani, Rey Manaj dhe Mirlind Daku. Si zëvendësues kontribuan Nedim Bajrami, Ernest Muçi, Armando Broja dhe Myrto Uzuni.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



