“Më kapi për fyti”, plas sherri në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”
Mjeku dhe kryeinfermierja përplasen në sallën e operacionit, gjykata merr vendimin për gjinekologun
Një incident i pazakontë mes stafit mjekësor është regjistruar në maternitetin Mbretëresha Geraldinë në Tiranë, ku një konflikt mes një mjeku gjinekolog dhe kryeinfermieres së sallës së operacionit ka përfunduar në polici dhe më pas në gjykatë.
Ngjarja ndodhi në fillim të janarit 2026 dhe, sipas dëshmive, gjithçka nisi në momentin kur një paciente që priste të lindte duhej të futej me urgjencë në sallën e operacionit. Në atë kohë në sallë ndodheshin edhe pjesëtarë të stafit mjekësor, ndërsa situata u tensionua për shkak të procedurave që duhej të ndiqeshin para operacionit.
Pas konfliktit, policia e Tiranës arrestoi mjekun gjinekolog Julian Habibaj. Prokurori i çështjes, Petrit Vukaj, kërkoi ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg”, duke e akuzuar për veprën penale të “goditjes për shkak të detyrës”. Megjithatë, gjykata vendosi një masë më të butë, duke e lënë mjekun në “detyrim për paraqitje”.
Konflikti u denoncua nga kryeinfermierja e sallës obstetrike, Rabije Allaraj, e cila pretendon se është sulmuar fizikisht gjatë debatit. Sipas saj, gjithçka ndodhi pasi mjeku i kërkoi të përgatiste një operacion urgjent për pacienten.
Allaraj ka deklaruar se, pasi kontrolloi kartelën mjekësore të pacientes, vuri re se mungonte konsultimi i ditës dhe firma përkatëse, dokumente që konsiderohen të domosdoshme përpara kryerjes së ndërhyrjes kirurgjikale. Ajo thotë se e informoi mjekun për këtë mangësi dhe i kërkoi të plotësonte dokumentacionin para se të fillonte procedura.
Sipas saj, reagimi i mjekut ishte i menjëhershëm dhe i tensionuar. Kryeinfermierja pretendon se kartela u hodh në tokë nga nervozizmi dhe se situata degjeneroi në përplasje fizike, duke shtuar se mjeku e kapi nga qafa dhe e kërcënoi gjatë debatit.
Ajo ka rrëfyer gjithashtu se gjatë momentit të konfliktit askush nga stafi nuk ndërhyri menjëherë, ndërsa një kolege ndërhyri më pas për të qetësuar situatën. Pas kësaj, debati vijoi për pak çaste edhe në korridorin pranë sallës së operacionit.
Lidhur me ngjarjen janë marrë në pyetje edhe pesë mjekë të tjerë që ndodheshin në ambientet e maternitetit në atë kohë. Mes tyre është dëgjuar edhe vetë mjeku gjinekolog Julian Habibaj, ndaj të cilit po zhvillohen hetime.
Në deklarimin e tij, Habibaj ka mohuar kategorikisht çdo kontakt fizik me kryeinfermieren. Ai ka shpjeguar se konflikti verbal lindi për shkak të urgjencës për të futur në sallë pacienten, e cila sipas tij ndodhej prej më shumë se 24 orësh e shtruar dhe kishte një situatë të ndërlikuar obstetrike.
Sipas mjekut, pacientja kishte pasur dy lindje të mëparshme me operacion dhe qëndronte prej orësh me membranat e plasura, ndërsa gjendja e fetusit konsiderohej e pasigurt. Për këtë arsye, ai theksoi se operacioni duhej kryer pa vonesë për të shmangur rrezikun për nënën dhe foshnjën.
Habibaj ka shtuar se për ndërhyrjen ishte marrë edhe miratimi i shefit të obstetrikës si dhe i anestezistit përgjegjës, duke theksuar se nuk kishte kundërshtuar kërkesën për dokumentacion dhe se, sipas tij, pjesa që i takonte ishte plotësuar.
Hetimet për këtë incident vazhdojnë, ndërsa organet e drejtësisë pritet të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për një përplasje fizike apo vetëm për një konflikt verbal të shkaktuar nga situata e tensionuar në sallën e operacionit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



