E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Me oksigjen në shtëpi, ikja e dritave i merr jetën pacientit/ Zbardhet dëshmia e të afërmit: Dy orë pa energji në Kamzë, ndërroi jetë në pak minuta
Publik News

Me oksigjen në shtëpi, ikja e dritave i merr jetën pacientit/ Zbardhet dëshmia e të afërmit: Dy orë pa energji në Kamzë, ndërroi jetë në pak minuta

bombol oksigjen shtepi covid“Bëhet fjalë për një rast në Kamzë. Ka qenë një person i sëmure me Covid-19, i cili po trajtohej në kushte shtëpie. Me rëndimin e gjendjes shëndetësore, ai e kishte të domosdoshme që të trajtohej dhe me oksigjen dhe familjarët bënë të pamundurën dhe ia siguruan aparaturën. Po teksa gjendja e tij ishte mjaft e rënduar, mesnatën e 19 shkurtit u ndërpre energjia elektrike për rreth 2 orë në zonën e Kamzës dhe i sëmuri brenda pak minutash ndërroi jetë, pasi aparatura e oksigjenit funksionon përmes energjisë elektrike”, thotë Dhimitër Koleci, i afërm i personit që ndërroi jetë.

Por ky nuk është rasti i parë që Covid, direkt ose indirekt, u ka marrë jetën të afërmeve të tij. Koleci tregon se dhjetëra të sëmurë me koronavirus po trajtohen me aparatura oksigjeni në banesat e tyre dhe ndërprerja e energjisë elektrike është kthyer në rrezik serioz për jetën e tyre.

“Siç e dini, COVID-19 ka shkaktuar një tragjedi të vërtetë për familjen Cara në Rubik. Brenda një jave, virusi u ka marrë jetën çiftit të bashkëshorteve, përkatësisht 83 dhe 72 vjeç, dhe djalit të tyre të vetëm, 42 vjeç. U infektuan dhe fillimisht u trajtuan në shtëpi të tre pjesëtarët e familjes. Më pas, djali dhe e ëma u transferuan në spital ku dhe gjetën vdekjen, ndërsa i zoti i shtëpisë ka vdekur në shtëpi.

Kanë blerë aparaturën e oksigjenit, e cila funksionon me energji elektrike. Dua të them se po përdoret oksigjeni në shtëpi përmes disa aparaturave që nuk janë të përshtatshme, nuk kanë oksigjenin e duhur për të furnizuar këta njerëz. Një katastrofë tjetër është ndërprerja e energjisë elektrike dhe këto aparatura punojnë me energji elektrike dhe menjëherë i ndërpritet oksigjeni. Kjo situatë po sjell fatalitet për shumë të sëmure që e kanë të domosdoshëm oksigjenin”, tregon Koleci.

Rastet e të sëmurëve me COVID-19 që trajtohen me oksigjen në banesat e tyre janë të shumta. Bektash Keta tregon se babai i tij 76 vjeç u prek nga virusi dhe është trajtuar me aparaturë oksigjeni në kushte shtëpie.

“Babai im është 76 vjeç dhe u prek nga COVID-19 në fillim të muajit shkurt. Duke qenë se ka punuar shumë në minierë, gjendja e tij nisi duke u rënduar. Nga pasiguria që kishim për ta dërguar në spitalet COVID në Tiranë, vendosëm që ta trajtojmë në kushte shtëpie. Duke parë gjendjen e rënduar shëndetësore, mjekët na rekomanduan që të vendoset në oksigjen. Në këto kushte, u vumë në lëvizje dhe arritëm ta gjejmë aparaturën e oksigjenit në Maqedoni, e cila na kushtoi 1 mijë euro”, thotë Keta teksa shton se duke qenë se babai jetonte në fshat, ndërprerjet e energjisë elektrike ishin të shpeshta.

Kjo bënte që jo pak herë aparatura dilte jashtë funksioni, ndërsa jeta e pacientit të varur nga ajo aparaturë, mund të bënte rolin e kundërt.

“Aparatura e oksigjenit funksionin me energji elektrike, por duke qenë se babai jeton në fshat, ndërprerjet e energjisë ishin të shpeshta. Një natë u ndërprenë dritat e në të njëjtën kohë dhe oksigjeni. Gjendja e babait u rëndua shumë dhe iu rrezikua jeta. Në këtë situatë arritëm të gjejmë një gjenerator dhe e vumë në punë shpejt, duke i rikthyer oksigjenin. Që prej asaj nate e kemi mbajtur gjeneratorin në gatishmëri derisa sa babai e kaloi virusin dhe gjendja e tij u përmirësua”, tregon Keta.

Mjeket në Lezhë që po trajtojnë të sëmurët me COVID-19 nuk pranojnë të flasin zyrtarisht në lidhje me këtë problematikë, nga frika e largimit nga puna.

Në kushtet e anonimatit, një nga mjeket e spitalit u shpreh se që nga nisja e pandemisë janë një numër jo i ulët pacientësh të infektuar me COVID-19, të cilët janë trajtuar në kushte shtëpie me aparatura oksigjeni.

“Që nga muaji tetor e në vazhdim është një numër i konsiderueshëm personash, të cilët janë detyruar të blejnë apo marrë me qira aparatura oksigjeni për t’u trajtuar në kushte shtëpie. Ato aparatura funksionojnë me energji elektrike dhe normalisht që ndërprerjet e energjisë janë një rrezik për jetën e pacienteve që trajtohen me oksigjen”.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.