Me të zeza dhe duar të lidhura, ekstradohet Dritan Shkëmbi (Video)
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Amar alias Dritan Shkëmbi është ekstraduar nga Dubai dhe është ekstraduar nën masa të forta sigurie në Shqipëri. I veshur me të zeza dhe duar të lidhura, Shkëmbi është marrë nga bordi i avionit nga dy efektivë të forcave speciale Shqiponja, dhe është transportuar nëpërmjet pistës së aeroportit “Nënë Tereza” për të përfunduar në duar të drejtësisë.
Gjyqësori shqiptar kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”, me kërkesë të SPAK, për dyshimin e përfshirjes në një atentat të rëndë. Amar, ose Dritan Shkëmbi, kishte gjetur strehim në Dubai, një vend ku shpesh strehohen persona të përfshirë në botën e krimit të organizuar shqiptar.
Shkëmbi dyshohet se ka pasur rol në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, i cili udhëtonte bashkë me Aleksandër Lahon, i njohur ndryshe si “Rrumi i Shijakut”. Ngjarja ndodhi kur automjeti që po udhëtonte Ndoj u sulmua me armë, duke lënë të plagosur ish-prokurorin dhe duke shkaktuar vdekjen e shoferit të tij, Andi Maloku.
Përveç kësaj, Shkëmbi konsiderohet nga SPAK si një pjesëtar i grupit të Plarent Dervishaj, i cili aktualisht po gjykohet në GJKKO për disa akuza penale të lidhura me aktivitetet e paligjshme të grupit të tij kriminal.
Ekstradimi i Shkëmbit është një tjetër goditje ndaj grupeve të fuqishme të krimit të organizuar shqiptar dhe një tjetër hap përpara për drejtësinë shqiptare, e cila është angazhuar për të hequr qafe personazhet kyç të kësaj bote kriminale.
Njoftimi zyrtar nga Policia e Shtetit
Ekstradohet nga Dubai, një shtetas i akuzuar nga GjKKO-ja, për krime të rënda kundër disa personave.
Si rezultat i bashkëpunimit konsistent të specialistëve të Drejtorisë së Interpolit, me homologët në Abu Dhabi, u finalizua procedura e ekstradimit në Shqipëri, nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të shtetasit shqiptar A. Sh. alias D. Sh..
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 2022, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale:
-“Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit A. N.;
-“Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, me pasojë vdekjen e shtetasit A. M., si dhe mbetur në tentativë në dëm të shtetasit A. L. (P. M.);
-“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
-“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, e dyshuar e kryer në bashkëpunim me shtetasit P. D., E. S., B. P., J. M. dhe R. R., në dëm të shtetasve A. N. dhe A. L. (P. M.), vepra penale këto të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal;
-“Vjedhja”, kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
Nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi A. Sh. alias D. Sh. është i implikuar në ngjarjen e ndodhur më datë 01.11.2019, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, ku disa shtetas që lëviznin me automjet, kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëviznin shtetasit A. M., A. N. dhe A. L.. Si pasojë humbi jetën shtetasi A. M., si dhe u plagosën shtetasit A. N. dhe A. L..
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



