E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Më vrasin nëse denoncoj”, frika e qytetarëve nga mbetjet spitalore
Lajme

“Më vrasin nëse denoncoj”, frika e qytetarëve nga mbetjet spitalore

Për të kuptuar përmasat e abuzimit me mbetjet e rrezikshme spitalore, mjafton të ndalesh pranë koshave të plehrave në qendrat spitalore të vendit. Aty, mes mbetjeve urbane, fshihen qeset e zeza të spitaleve, me shiringa, vigonë dhe materiale kirurgjikale të përdorura.

Në bisedat e zhvilluara me qytetarë që kërkojnë çdo ditë mbetje të riciklueshme, Inside Story mësoi se mbetjet spitalore përzihen shpesh me ato të zakonshme, duke u kthyer në një rrezik real për shëndetin publik.

“Kam parë shiringa, jam shpuar vetë…”

Qytetari: Kam parë mbetje spitalore shumë herë. Vigonë, shiringa… po jam shpuar.
Gazetarja: Nuk ke frikë?
Qytetari: Më përpara, por tani jo.
Gazetarja: Pse?
Qytetari: Ka kush më kuron.
Gazetarja: Sot ke parë?
Qytetari: Po, e pashë, por sa e pashë ika.

Në spitalin më të madh të vendit, përballë urgjencës së QSUT, situata është dramatike. Të varfrit që mbledhin plehra për bukën e gojës janë përballur shpesh me mbetje të rrezikshme, përfshirë mbetje kirurgjikale, inde njerëzore dhe substanca kimike e radioaktive.

“Ata janë mafiozë, po fola më vrasin”

Një tjetër qytetar, i tronditur por i frikësuar, rrëfen:

“Ju nuk bëni mirë kështu. Ata që i hedhin ato aty janë mafiozë, po fola më vrasin. Edhe policia thotë hajde denonco, po çfarë të denoncoj? Po dola unë, më vrasin. Dilni ju një ditë këtu dhe do ta shikoni – qeset e zeza janë plot me mbetje spitalore, kam çarë duart disa herë!”

Këto fjalë janë dëshmi e drejtpërdrejtë e një zinxhiri abuzimesh që nis brenda spitaleve dhe përfundon në koshat publikë, në mes të qytetit.

Ekspertët: Rrezik biologjik, kimik dhe radioaktiv

“Ka risk fizik, kimik, biologjik dhe madje edhe radioaktiv. Materialet e tilla përmbajnë patologji infektive, kimikate dhe mbetje biologjike që mund të përhapen lehtësisht”, paralajmëron mjeku infeksionist Ilir Alimehmeti.

Edhe Kreu i Urdhrit të Farmacistëve, Dëfrim Goma, ngre alarmin:

“Kontaktet e drejtpërdrejta me mbetjet spitalore krijojnë rrezik të menjëhershëm për shëndetin e njerëzve që i prekin. Këto mbetje duhen zhdukur brenda ditës.”

Alimehmeti shton:

“Katër apo pesë ditë janë shumë për mbetje biologjike. Provoni të lini diçka jashtë frigoriferit në këtë temperaturë – do kuptoni çfarë ndodh me to.”

“Mbetjet duhej të ishin trajtuar, jo hedhur në koshat e qytetit”

Sipas standardeve ndërkombëtare, çdo mbetje e prodhuar brenda sektorit shëndetësor ndahet në dy kategori:

  • Të rrezikshme – përfshijnë mbetjet e mprehta, laboratorike, indet njerëzore e shtazore, si dhe ato farmaceutike, kimike e radioaktive;

  • Jo të rrezikshme – që mund të riciklohen ose të trajtohen pa dëmtuar mjedisin.

Por në realitetin shqiptar, kufiri mes tyre është fshirë.

Nga spitalet dalin qese të zeza të mbushura me mbetje toksike që përfundojnë në koshat e qytetit, duke u bërë një bombë biologjike e heshtur./Insidestory

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.