Mega-operacioni i SPAK, zbardhen përgjimet për tokat në Zvërnec
“Kafen time dhe të kushos mos harroni”
Prokuroria e Posaçme (SPAK), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka zhvilluar një operacion të gjerë kundër një grupi të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrim parash në vlera të konsiderueshme.
Në kuadër të këtij operacioni janë lëshuar 20 masa sigurie. Mes personave të arrestuar është Orest Sota, ndërsa për biznesmenët Artur Shehu dhe Ilir Shtufi është vendosur masa “arrest me burg”. Shtufi është arrestuar në Greqi, ndërsa Shehu vijon të jetë në kërkim.
Sipas dosjes hetimore, një pjesë e rëndësishme e aktivitetit të dyshuar kriminal lidhet me investimet në prona në zonën e Zvërnecit, ku Artur Shehu rezulton pronar i sipërfaqeve të konsiderueshme dhe ku është planifikuar ndërtimi i një resorti luksoz.
Përgjimet e zbardhura nga aplikacioni i koduar SkyECC, të siguruara nga autoritetet dhe të publikuara nga media, hedhin dritë mbi komunikimet mes anëtarëve të grupit dhe planet e tyre për zhvillimin e këtyre pronave.
Nga analizimi i të dhënave të sistemit TIMS dhe komunikimeve të përgjuara, rezulton se një nga personat nën hetim, Adrian Rama, ka udhëtuar disa herë drejt Stambollit gjatë periudhës korrik–shtator 2020 për t’u takuar me Artur Shehun. Në këto komunikime, Shehu shfaqet i kujdesshëm, duke kërkuar që çështjet që lidhen me para, prona apo aktivitete të tjera të ndjeshme të mos diskutohen në telefon, por vetëm në takime direkte.
Në një prej bisedave, ai i kërkon Ramës që të mos flasë për “lekë, shtëpi, toka apo Bunën”, duke lënë të kuptohet për natyrën sensitive të aktiviteteve të tyre. Më tej, organizohen takime në Stamboll për të vijuar negociatat dhe koordinimin e veprimeve.
Komunikimet tregojnë gjithashtu për përpjekje për të mbyllur marrëveshje me palë të huaja, ku përmenden edhe negociata me shtetas turq për projekte që lidhen me pronat dhe investimet.
Një tjetër element i rëndësishëm i dosjes lidhet me organizimin e vizitave në terren në zonën e Zvërnecit. Në një bisedë, përmendet ardhja e disa “miqve” për të parë pronat, madje edhe transportimi i tyre me gomone, çka sugjeron interes konkret për zhvillimin e këtyre sipërfaqeve.
Nga përgjimet rezulton se personat nën hetim jo vetëm bashkëpunonin ngushtë me njëri-tjetrin në investime, por kishin dijeni të plotë edhe për aktivitetet kriminale që zhvilloheshin paralelisht. Në disa komunikime përmendet edhe trafiku i narkotikëve, duke përdorur terma të koduar si “mall”, ndërsa flitet për fitime mujore dhe ndarje përfitimesh.
Sipas SPAK, këto të dhëna tregojnë qartë se grupi ka funksionuar si një strukturë e organizuar, ku aktiviteti kriminal dhe investimet në prona kanë qenë të ndërthurura. Tokat e përfituara në Zvërnec dyshohet se janë përdorur si mjet për pastrimin e parave, përmes zhvillimit të projekteve ndërtimore dhe bashkëpunimit me investitorë vendas dhe të huaj.
Në dosje evidentohet gjithashtu se disa nga anëtarët e grupit kishin kontakte të vazhdueshme me persona të tjerë të përfshirë në trafikun e drogës, ndërsa diskutimet për ndarjen e fitimeve dhe investimet në pasuri të paluajtshme zhvilloheshin paralelisht.
Operacioni i fundit konsiderohet si një nga goditjet më të mëdha ndaj krimit të organizuar dhe pastrimit të parave në Shqipëri, duke zbuluar një rrjet kompleks që shtrihet nga trafiku ndërkombëtar i drogës deri tek investimet në sektorin e ndërtimit dhe turizmit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



