E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shpërthimi me tritol në Shijak, dalin prapaskenat e forta të ngjarjes
Lajme

Shpërthimi me tritol në Shijak, dalin prapaskenat e forta të ngjarjes

Shpërthimi në portën e shtëpisë së Altin Ballës shihe si paralajmërim i fortë

Lidhjet me Julian Ballën në kërkim nga SPAK dhe dosjen e trafikut të 28 tonëve kokainë me emrat Franc Çopja dhe Ervis Çela

Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në Shijak, ku në portën e banesës së Altin Ballës, vëllai i Julian Ballës, është vendosur një sasi tritoli.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, më 17 korrik, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm dëme të lehta materiale. Sipas burimeve hetimore, lënda shpërthyese është vendosur në hyrje të banesës së Altin Ballës, e cila ndodhet pranë shtëpisë së vëllait tjetër, Fadilit.

Deri në këto momente, autorët nuk janë identifikuar, ndërsa hetuesit po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Paraprakisht, dyshohet se vendosja e tritolit ka pasur karakter paralajmërues, duke u konsideruar më shumë si një mesazh kërcënues sesa një tentativë për eliminim fizik.

Ngjarja lidhet në mënyrë indirekte me Julian Ballën, i cili prej rreth një viti është në kërkim nga SPAK, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” në kuadër të një operacioni të gjerë kundër një organizate kriminale në Elbasan.

Sipas hetimeve të zhvilluara më herët, Julian Balla rezulton pronar i resortit “Ajman Park” në zonën e Xhafzotajt në Durrës, që përfshin struktura hotelerie, ambiente shërbimi dhe tregtare. Gjithashtu, ai zotëronte edhe një vilë luksoze dykatëshe të njohur si “ELYSIAN” në bregdetin e Dhërmiut, me një sipërfaqe rreth 378.2 m² dhe vlerë tregu që shkon afërsisht në 1 milion euro. Të dyja këto pasuri janë sekuestruar nga SPAK. Balla ka mbajtur edhe postin e ish-presidentit të klubit të futbollit “Erzeni”.

Operacioni i SPAK në gushtin e vitit të kaluar zbuloi aktivitetin e një rrjeti të strukturuar kriminal, i cili dyshohet se ka trafikuar rreth 28 ton kokainë nga Amerika Latine drejt Evropës, në dy episode të ndara, ku 17 ton janë sekuestruar nga autoritetet.

Sipas dosjes hetimore, Franc Çopja bashkëpunonte me Ervis Çelën, të cilët siguronin lëndën narkotike nga prodhues në Amerikën e Jugut. Droga depozitohej dhe përgatitej për transport në Paraguai, më pas maskohej në produkte të ndryshme dhe transportohej me kontejnerë drejt porteve të Belgjikës dhe Gjermanisë, nga ku shpërndahej në tregun evropian.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.