Meremja i bëhet “verem” Berishës, nuk heq dorë nga drejtimi i PD-së
Mereme Sela i është drejtuar Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, duke kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë që ktheu mbrapsht padinë e saj për kandidimin në zgjedhjet brenda Partisë Demokratike. Në ankimin e depozituar, ajo kërkon prishjen e vendimit nr. 2397, datë 8 maj 2026, si dhe rikthimin e çështjes për rigjykim me një tjetër trup gjykues.
Në argumentet e saj, Sela pretendon se vendimi për “kthim aktesh” është marrë në kundërshtim me ligjin dhe e cilëson atë si një shmangie të qëllimshme të gjykatës për të trajtuar një çështje me natyrë politike. Sipas saj, është cenuar parimi i paanësisë dhe nuk i është dhënë mundësia për të plotësuar mangësitë procedurale të konstatuara.
Në dokumentin e ankimit, ajo shpjegon se gjykata e konsideroi padinë të paplotë për shkak të mosshlyerjes së tarifës gjyqësore, mungesës së një kopjeje të dokumentit të identifikimit dhe mungesës së adresës së plotë të selisë së Partisë Demokratike. Megjithatë, Sela argumenton se këto mangësi ishin lehtësisht të korrigjueshme dhe se duhej t’i ishte dhënë një afat për plotësimin e tyre, në vend që padia të kthehej menjëherë.
Sipas saj, tarifa gjyqësore nuk ishte paguar për shkak të urgjencës së procedurës, duke qenë se zgjedhjet në Partinë Demokratike pritet të zhvillohen brenda muajit. Ajo shton se do ta kishte kryer pagesën menjëherë nëse do të ishte njoftuar nga gjykata ose nëse do të ishte caktuar një seancë paraprake.
Në lidhje me dokumentin e identifikimit, Sela pretendon se kërkesa bie në kundërshtim me Kodin e Procedurës Civile, pasi identifikimi i palës bëhet në momentin e paraqitjes në gjykatë dhe në padi ishte përfshirë numri i saj personal. Po ashtu, ajo kundërshton edhe pretendimin për mungesën e adresës së saktë të selisë së Partisë Demokratike, duke theksuar se kjo e dhënë gjendet në dokumentet e bashkëlidhura.
Një tjetër pikë e ngritur në ankim është ajo që Sela e cilëson si “paragjykim” nga ana e gjykatës. Sipas saj, është arritur në përfundime për mungesë faktesh dhe rrethanash pa u shqyrtuar çështja në themel dhe pa u dëgjuar palët.
Padia e saj kishte si objekt rikthimin në garën për zgjedhjet brenda Partisë Demokratike dhe kundërshtimin e kandidimit të Sali Berishës për kryetar. Ajo i referohet nenit 46, pika 8 të statutit të partisë, sipas të cilit kryetari nuk mund të rikandidojë nëse partia nuk ka fituar zgjedhjet parlamentare. Në këtë kuadër, Sela e konsideron kandidimin e Berishës si të pavlefshëm.
Në ankim theksohet se padia është paraqitur në mënyrë të përmbledhur, por me identifikim të qartë të shkeljes dhe të kërkesës kryesore. Sipas saj, gjykata ka zgjedhur të mos e trajtojë çështjen në themel, duke përdorur rrugën procedurale të kthimit të akteve.
Sela argumenton gjithashtu se gjykata nuk ka përdorur mekanizmat e pajtimit të parashikuar në ligj dhe se mosshqyrtimi i çështjes i ka cenuar të drejtën për një proces të rregullt ligjor. Ajo e konsideron këtë si një situatë ku sistemi gjyqësor, sipas saj, ndikon në “konsolidimin e autokracisë në partitë politike”.
Në përfundim, Sela i kërkon Gjykatës së Apelit të konstatojë shkeljen e parimit të paanësisë, të prishë vendimin e Gjykatës së Tiranës dhe të rikthejë çështjen për rigjykim me një tjetër trup gjykues.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



