E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Mesazh i fortë, Braçe godet ministrokracinë dhe drejtorokracinë
Lajme

Mesazh i fortë, Braçe godet ministrokracinë dhe drejtorokracinë

“Personalizimi i pushtetit ka sjellë pasoja, dëgjoni qytetarët”

Në 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, deputeti Erion Braçe ka zgjedhur një qasje ndryshe nga mesazhet tradicionale festive, duke sjellë një reagim të fortë dhe reflektues mbi gjendjen e brendshme të forcës politike.

Në vend të urimeve, Braçe i kushtoi vëmendje socialistëve të thjeshtë, duke i cilësuar ata si themelin dhe forca reale që ka mbajtur gjallë partinë ndër vite. Ai vlerësoi kontributin e tyre në ndërtimin, mbrojtjen dhe zhvillimin e PS-së, duke theksuar se janë pikërisht këta njerëz që e kanë kthyer atë në forcën më të madhe politike në vend.

Një pjesë e rëndësishme e mesazhit të tij lidhet me situatën aktuale dhe kritikat që, sipas tij, po bien padrejtësisht mbi bazën socialiste. Braçe u shpreh se anëtarët nuk duhet të mbajnë përgjegjësi për problemet, duke ia atribuar atë drejtuesve politikë.

“Kërkojeni tek ne përgjegjësinë,” thekson ai, ndërsa kërkon ndjesë publike për çdo socialist që, sipas tij, është sulmuar apo fyer në mënyrë të padrejtë.

Deputeti ndalet më tej te nevoja për një reflektim të thellë brenda Partisë Socialiste. Ai nënvizon rëndësinë e dëgjimit të zërit të anëtarësisë, garantimit të debatit dhe respektimit të votës, duke kritikuar praktikat që deformojnë përfaqësimin.

Në këtë kuadër, Braçe përdor terma të fortë si “ministrokraci” dhe “drejtorokraci”, duke ngritur shqetësimin për ndikimin e strukturave të tilla në vendimmarrje dhe në jetën e brendshme të partisë. Sipas tij, këto fenomene dëmtojnë marrëdhëniet mes socialistëve dhe cenojnë parimet demokratike.

Ai paralajmëron gjithashtu për rrezikun e personalizimit të pushtetit, duke theksuar se një qasje e tillë krijon hapësira për abuzime dhe e bën partinë dhe qeverisjen përgjegjëse për çdo devijim individual.

Në fund të mesazhit, Braçe e sheh reflektimin jo si një akt të momentit, por si një proces të vazhdueshëm, të domosdoshëm për të rikthyer besimin dhe për të forcuar lidhjen me shoqërinë, veçanërisht me brezat e rinj që kërkojnë më shumë përfshirje dhe zë në vendimmarrje.

Sipas tij, vetëm përmes një hapjeje reale dhe përfshirjeje të sinqertë, Partia Socialiste mund të përfaqësojë denjësisht interesat e shoqërisë dhe të çojë përpara projektin madhor të integrimit evropian.

Mesazhi i plotë

Socialistëve të thjeshtë, të zakonshëm, atyre që nuk mungojnë kurrë, atyre që janë gjithmonë, çdo herë; të përjetshmëve modestë; atyre që e themeluan, e mbrojtën, e shpëtuan, e rritën dhe e modernizuan; atyre që e kthyen në forcën më të madhe politike në vend, të hapur, përfshirëse, përfaqësuese të gjerë të interesave kombëtare dhe të shtresëzimeve të shoqërisë; atyre që këmbyen energjinë dhe fuqinë e tyre me njerëzit kudo, duke pasur një puls, në një marrëdhënie që transformohet vazhdimisht dhe ku njerëzit e thjeshtë janë gjithnjë burimi i fuqisë, modestisë dhe përulësisë që bën e tregon nder, shumë nder.

Dita e socialistëve idealistë, atyre që ishin mbi të gjitha; historia e tyre nuk rishkruhet, nuk mundet. Është shkruar një herë me gjak, edhe gjatë opozitës së parë, edhe gjatë opozitës së dytë; me mund, sakrifica personale e familjare. Pa jetë apo në jetë, secili ndër ta është aty, në murin e socialistëve të meritës. Nuk e rrëzon dot kush atë mur; çdo kazmë mbi të është kazmë mbi vetë PS-në, mbi vlerat e saj më të mira, të çdo kohe, mes këtyre 35 viteve.

Kjo është dita e kujtdo në atë mur; edhe e jotja, Petro, Ermelinda, Çim, Ben etj., siç është edhe dita jote, Feim, Nazmi, Arshin, Nesim, Ali, Staver, Fadil, Tiku etj.; dita e çdo socialisti të tabanit, të themelit.

Dita e socialistëve që po sulmohen, shahen, fyhen e ofendohen kaq shumë këto ditë, padrejtësisht.

Janë tërësisht të pafajshëm ata. Nuk i kanë borxh askujt për bindjet e tyre, zgjedhjet e tyre, betejat e tyre, fitoret e tyre.

Kërkojeni tek ne përgjegjësinë! Ndaj, të paktën unë, i kërkoj ndjesë çdo socialisti për gjithçka që po vuan si sulm, dëgjon si fyerje e sharje ndaj tij. Duhet ta mbajmë ne këtë barrë, qoftë e vërtetë, qoftë keqinformim, dezinformim apo shpifje.

Ndërkohë, sot është dita për një reflektim të thellë, të gjerë, përfshirës.

Për marrëdhëniet me socialistët, po, po me ta e për ta; për shqetësimet e tyre reale, njerëzore e politike, të meritës dhe përfshirjes, duke nisur nga më baziket: të fjalës që dëgjohet, të debatit që zhvillohet, të së drejtës që garantohet, të votës që zgjedh, të përfaqësimit që ndodh në këtë rrugë e nuk deformohet si njoftim njerëzish të pavotuar e të pavotueshëm, produkt i ministrokracisë dhe drejtorokracisë; struktura që shfaqen e zhduken kohë pas kohe, duke dëmtuar marrëdhënie jetike mes socialistëve, thyejnë e prishin raporte të konsoliduara demokratike.

Mbi të gjitha, krijojnë hapësira ku parimet bien dhe personalizimi i pushtetit politik-partiak e ekzekutiv sjell gjithçka që e bën partinë dhe qeverinë e saj përgjegjëse për çdo abuzim individual me ligjin e jo vetëm, përfshirë punën dhe ekonominë.

Ndaj ju them të gjithëve ndjesë për gjithçka që nuk është përgjegjësi e juaja.

Reflektimi duhet të jetë një proces, kurrë një status, as thjesht një fjalë apo fjalim. Një parti e lirë i jep liri shoqërisë, e përdor lirinë si zhvillim të gjerë e të qëndrueshëm; një proces që rikthehet të kuptojë shoqërinë, të njohë interesat e ligjshme të çdo shtresëzimi të saj.

I kemi përballë, janë të dukshme, veçanërisht si interesa të një gjenerate të re që kërkon të dëgjohet, të pyesë e të marrë përgjigje, të kritikojë, të kundërshtojë, të votojë e të kundërvotojë, të vendosë për të ardhmen e saj, mënyrën se si dëshiron të jetojë, të zhvillohet, të punojë, të ndërtojë mirëqenien në këtë vend, duke nisur nga mirëqenia mjedisore dhe urbane.

Nuk duan të jetojnë siç jetuan prindërit e tyre. Duan të jenë pjesë dhe të kenë fuqinë natyrore që pushteti e kufizon dhe shpesh nuk e kupton.

Duhet të merremi me veten që të merremi edhe me ta; të pastrohemi seriozisht, të hapemi realisht, të përfshijmë sinqerisht, që të përfaqësojmë gjerësisht ide, bindje, vlera, sy, zëra, zemra, energji të reja, të ardhmen.

Kemi nevojë për këtë, jo vetëm sepse tani arritëm 35 vite, por edhe sepse jemi në mes të projektit më të madh politik që ky vend ka pasur që nga viti 1912: bashkimin me Evropën.

Duhet të arrijmë atje. Është drita që duhet të na udhëheqë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.