E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Meta dhe Kryemadhi të pandehur nga SPAK – Avokati Logu: Vendim politik, jo ligjor
Lajme

Meta dhe Kryemadhi të pandehur nga SPAK – Avokati Logu: Vendim politik, jo ligjor

Ish-presidenti Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, janë shpallur zyrtarisht të pandehur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), pas përfundimit të hetimeve mbi dy çështje të bujshme: lobimin në SHBA dhe aferën e njohur si CEZ-DIA.

Në një prononcim avokati dhe juristi i njohur Besard Logu ka reaguar me kritika të forta ndaj vendimit të SPAK, duke e cilësuar atë të pajustifikuar dhe të motivuar politikisht. Sipas tij, është e palogjikshme që një lider partie të merret në përgjegjësi penale për veprime të natyrës teknike dhe financiare, siç është lobimi ndërkombëtar.

“Nuk është funksioni i kryetarit të një partie të merret me deklarime financiare apo marrëdhënie kontraktuale. Këto janë përgjegjësi të sekretarit organizativ, drejtorit financiar apo përfaqësuesve ligjorë,” – thekson Logu.

Ai ngre pikëpyetje të mëdha edhe mbi kohëzgjatjen dhe kohëzimin e procedimit penal, duke sugjeruar se ky veprim i SPAK vjen në një moment kritik politik – menjëherë pas zgjedhjeve të 11 majit – për të zhvendosur vëmendjen nga akuzat e rënda për manipulim të procesit zgjedhor dhe përfshirjen e grupeve kriminale në votime.

“Në vend që të merremi me pretendimet e rënda për zgjedhjet, vëmendja orientohet te një çështje e disa viteve më parë. Mungon lidhja direkte e Metës me aktet konkrete që janë objekt hetimi,” – u shpreh Logu.

Juristi theksoi parimin e përgjegjësisë penale individuale dhe rrezikun që mbart aplikimi i një logjike kolektive për ndëshkimin e figurave politike.

“Kryetari i një partie është figurë përfaqësuese, jo administrator teknik. Nuk mund të mbahet penalisht përgjegjës për çdo kontratë, pagesë apo mosdeklarim që ndodh në strukturat e partisë,” – deklaroi ai.

Logu paralajmëroi se kjo qasje jo vetëm që cenon shtetin e së drejtës, por krijon një precedent të rrezikshëm: ndëshkimin e liderëve politikë për veprime që nuk i kanë kryer vetë dhe për të cilat mungon çdo provë e drejtpërdrejtë.

Hetimet ndaj Metës dhe Kryemadhit pritet të përshkallëzohen në muajt në vijim, ndërsa reagimet politike dhe ligjore do të jenë të pashmangshme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.