E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Meta i shqetësuar për zjarret: Të angazhohet edhe flota ajrore! Vera do jetë e nxehtë, që të mos përsëritet situata e vitit të kaluar
Lajme

Meta i shqetësuar për zjarret: Të angazhohet edhe flota ajrore! Vera do jetë e nxehtë, që të mos përsëritet situata e vitit të kaluar

Situata e zjarreve që ka nisur në zonën e Vlorës ka alarmuar Presidentin Ilir Meta, i cili në një reagim thotë se po ndjek me vëmendjen situatën.

Ai thotë se me qëllim parandalimin e përhapjes së vatrave të zjarrit dhe që të mos përsëritet situata si në verën e kaluar, duhet angazhim i plotë i strukturave vendore dhe qendrore për lokalizimin dhe fikjen e tyre në kohë sa më të shkurtër.

Referuar parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencës, Presidenti paralajmëron për një verë të nxehtë, ndaj për fikjen e zjarreve duhet të angazhohet edhe flota ajrore.

“Njëherazi i nxis strukturat e pushtetit vendor për shtimin e vrojtuesve për të informuar në kohë dhe mbajtjen në gadishmëri të strukturave operacionale, për ndërhyrje të menjëhershme në përballimin e situatave të zjarrit gjatë muajve të verës”, thuhet ne reagimin e Presidentit Meta.

REAGIMI I PRESIDENTIT META

Po ndjek me vëmendje situatën e përhapjes së zjarreve në zonën e Vlorës, veçanërisht në Ishullin e Sazanit.

Me qëllim parandalimin e përhapjes së vatrave të zjarrit, që të mos përsëritet situata si në verën e kaluar, kërkoj angazhimin e plotë të strukturave vendore dhe qendrore për lokalizimin dhe fikjen e tyre në kohë sa më të shkurtër.

Duke vlerësuar parashikimet e Institutit të Gjeoshkencës për një verë të nxehtë, me temperatura shumë të larta, bëj thirrje për vënien në gadishmëri të strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme dhe Bashkive në të gjithë Shqipërinë, për mbrojten civile, sidomos për angazhimin e flotës ajrore, për ndërhyrjen nga ajri për fikjen e vatrave të zjarrit në zona ku është e pamundur ndërhyrja në rrugë tokësore, siç është rasti i Ishullit të Sazanit.

Njëherazi i nxis strukturat e pushtetit vendor për shtimin e vrojtuesve për të informuar në kohë dhe mbajtjen në gadishmëri të strukturave operacionale, për ndërhyrje të menjëhershme në përballimin e situatave të zjarrit gjatë muajve të verës.

I ftoj të gjithë qytetarët për të kontribuar me informacione të shpejta në të gjithë territorin e vendit për çdo rast zjarri të konstatuar, në mënyrë që strukturat përgjegjëse të angazhohen në kohën e duhur për izolimin dhe shuarjen e tyre.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.