Meta rikthehet në LSI dhe bën thirrjen e fortë: Mos më tradhëtoni më! Të shpallim “non-grata” Rilindjen
Ilir Meta ka renditur rekordet e zeza të Shqipërisë, që sipas tij ka shkaktuar qeverisja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa ka bërë thirrje për ndërgjegjësimin e qytetarëve të cilët tashmë duhet të marrin pëgjegjësitë e tyre.
Duke zyrtarizuar rikthimin në LSI, teksa foli në Konventën Kombëtare të kësaj force politike, Meta tha se Shqipëria sot renditet e para për korrupsion, kërkesat për azil apo përkeqësimin e ekonomisë.
Meta i bëri thirrje qytetarëve të mos e shesin më votën, “mos e tradhëtoni më Ilir Metën, mos e tradhëtoni Kushtetutën”, u shpreh ai.
Pjesë nga fjala e Metës:
A e ka votuar njeri këtu të merret me hartat e Kosovës? Ç’punë ka ky me Kosovën, njerëzit janë vrarë dhe janë shuar për atë pavarësi dhe për atë shtet. Për herë të parë presidenti i Serbisë na ndërhyri në fushatën elektorale në Shqipëri. Ç’punë ka ai? Unë që jam këtu kam qenë i pari që kam hapur marrëdhëniet me Serbinë. Dhe dekreti për mosdekretimin e kandidatit për ministër ishte pikërisht ky mesazh drejtuar gjithë botës, që mos dëgjoni atë mashtruesin dhe Kosova nuk ka nevojë për fat të keq, se ne mund të ishim edhe model për Kosovën.
Situata është vërtet dëshpëruese, vendi i parë në rajon për korrupsion, për hendekun social dhe të fundit në gjithçka të mirë dhe pozitive. Niveli i borxhit është nga më të lartët, jemi të parët për azilantë. Fondi i PPP-ve me ofertë të pakërkuar rritet mbi 30%. Për të rritur paga e pensione, nuk ka mundësi qeveria. Se do shkojë kosto e rrugës nga 2 milionë në 20 milionë euro. Shqipëria sigurisht që është kampione e korrupsionit, sa i takon rryshfetit jemi të dytët në botë. U detyrua edhe rezoluta e PE që dha mbështetjen për negociatat, që për herë të parë të thoshte që nga 2016-a ka humbur 27 vende.
Situata është tepër kritike, ne nuk mund të presim falimentimin e Shqipërisë, se artisti do të shpikë fajtorë. Ndaj është moment i rëndësishëm refkeltimi, që të mos përfundojmë si Greqia në falimentim. Sepse nga 200 e ca euro do shkojë paga 50 euro.
Mos i besoni as Ilir Metës, besojini vetes tuaj. Bëhuni më të përgjegjshëm për veten tuaj, për prindërit tuaj, për ata që u vranë për këtë vend. Pse çfarë kujtoni ju se Mujo Ulqinaku që doli aty mendoi se do të ndalonte Italinë fashiste. Ju mendoni se Vojo Kushi, kur i mbeti vetëm një bombë në dorë, nuk dinte të dorëzohej? Jo, or jo, ky vend nuk ka vetëm njerëz me stomak, por njerëz që dinë t’i dalin zot vendit. Mos shisni votën, mos tradhëtoni më as Ilir Metën, as Kushtetutën. Të shpallim non-grata kleptokracinë, rilidjen maninë dhe atë pjesë të rilindjes blu të pazareve. Dhe të mafies ndërkombëtare që e kërkon Shqipërinë si një vendi pastrimit të parave. T’u themi që ky është një vend me të cilin askush smund të luajë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



