Meta rishpall Dekretin për plotësimin e vendit vakant në Kushtetuese: Kushdo që plotëson kushtet të sjellë këto DOKUMENTE në Presidencë
Presidenti Ilir Meta rishpall për herë të tretë dekretin për plotësimin e një vendi vakant në Gjykatën Kushtetuese, për shkak të përfundimit përpara kohe të mandatit të ish-gjyqtarit Besnik Imeraj.
Meta fton çdo person të interesuar që plotëson kushtet dhe kriteret e parashikuara në Kushtetutën e vendit të marrë pjesë në këtë procedurë konkurrimi të hapur publik për plotësimin e vendit vakant, për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe të paraqesë pranë Institucionit të Presidentit të Republikës këto dokumente:
– Kërkesën për shprehjen e interesit për të kandiduar për vendin vakant të rishpallur;
– Jetëshkrimin, me të dhënat e plota të kontaktit (numër telefoni/e-mail);
– Fotokopje të kartës së identitetit;
– Dokumentacionin shoqërues, nëpërmjet të cilit vërteton përmbushjen e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenin 125, pikat 4 e 5 të Kushtetutës dhe nenit 7/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar;
– Formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Formulari i vetëdeklarimit është i publikuar bashkëlidhur këtij njoftimi në faqen e Institucionit të Presidentit të Republikës.
– Formularin e aplikimit të plotësuar “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, në përputhje me parashikimet ligjore të nenit 29, të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, formular i cili gjendet i publikuar bashkëlidhur këtij njoftimi në faqen e Institucionit të Presidentit të Republikës.
Afati i paraqitjes së kërkesës për shprehjen e interesit, së bashku me dokumentacionin e nevojshëm bashkëlidhur është data 14 tetor 2020.
Pas administrimit të dokumentacionit, lista e aplikuesve do të publikohet në faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës si dhe në mjetet e informimit publik. Lista e aplikuesve dhe dosjet respektive të tyre do t’i përcillen menjëherë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) për vijimin e procedurës së verifikimit dhe vlerësimit sipas Kushtetutës dhe ligjit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



