Ministri Çuçi bën bilancin e protestave për Klodian Rashën: U plagosën 46 policë, 578 qytetarë janë proceduar, 8 persona janë akoma në kërkim
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka bërë sot në Kuvend një bilanc të policëve të plagosur, procedimeve penale nga Policia dhe personave të shpallur në kërkim, për vrasjen e të riut Klodian Rasha, nga një efektiv i Shqiponjave.
I thirrur në interpelancë nga deputeti Kujtim Gjuzi, Çuçi tha se gjatë protestave që shpërthyen në Tiranë dhe në disa qytete të vendit, u plagosën 46 policë. Përsa i përket procedimeve, ministri tha se janë proceduar 578 persona.
“Në total janë 46 punonjës policie të dëmtuar gjatë protestave, 8 policë të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, 2 të Policisë së Shkodrës dhe pjesa tjetër punonjës të FNSH. Procedime penale për tubim të paligjshëm janë 578 persona, 97 të arrestuar, të mitur nga 14-18 vjeç, 4 persona. Proceduar në gjendje të lirë 470 persona, në kërkim 8 persona. Nga mosha 14-17 janë 215 persona të proceduar. Mbi 16 vjec, 5 persona”, u shpreh ministri.
Kujtojmë se, i riu Klodian Rasha u vra në orët e para të mëngjesit të 8 marsit 2020, pranë shtëpisë së tij në rrugën “Dritan Hoxha”. Ai po ndiqej nga dy efektivë të repartit Shqiponja. Pasi u përlesh me një prej tyre, efektivin Nevaldo Hajdaraj, i riu mbeti i vdekur sepse u qëllua me armë zjarri nga polici.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



