Ministri i Brendshëm-Ramës: Përfshirja e policisë në aktivitete politike dënohet me 5 vite burg
Ministri i Brendshëm Dritan Demiraj, ka reaguar ndaj thirrjeve të kryeministrit Edi Rama, të bëra në Berat, ku kërkonte që policët të dilnin e të mblidhnin vota për Partinë Socialiste.
Demiraj shprehet se policia është e depolitizuar dhe e ka të ndaluar me ligj pjesëmarrjen në aktivitete politike.
Lidhur me këtë Demiraj u shpreh se kundravajtje është vepër penale dhe dënohet me nga 1 deri në 5 vjet burgim.
Kjo është deklarata për media e ministrit Demiraj
Të nderuar përfaqësues të medias
Ju kam thirrur në këtë konferencë për të dhënë një mesazh të qartë për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që të mos ketë asnjë moment dyshimi se çdo përfshirje e tyre në aktivitete të partive politike do të ndëshkohet rreptësisht sipas përcaktimeve të ligjit.
Punonjësit e Policisë së Shtetit kanë marrë të gjithë trajnimin e nevojshëm ligjor për të kuptuar detyrimet dhe kufizimet që ata kanë në një proces zgjedhor.
Ligji për Policinë e Shtetit Nr.108, 2014, Kreu i 11-të, detyrimet dhe kufizimet kryesore të punonjësit të Policisë, Neni 90-të i tij, përcakton qartësisht kufizimet në jetën politike të punonjësit të policisë të cilit i ndalohet:
a) të jetë anëtar i një partie ose organizate politike
b) të mbështesë fushatën e një partie, organizate politike, të një anëtari partie politike apo të një kandidati të pavarur duke marrë pjesë ose kontribuar fizikisht ose financiarisht.
Kodi Zgjedhor dhe udhëzimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve numër 7, viti 2009 i ndryshuar, Vendimit të Këshillit të Ministrave numër 473, datë 01.06.2017, përcaktojnë qartësisht këto kufizime ligjore.
Dua t’ju rikujtoj se Kodi Penal, i ndryshuar më 22 Maj 2017, në nenin 332 a parasheh se: “Shpërdorimi i autoritetit policor nga punonjësi i Policisë së Shtetit ose i Policisë së Burgjeve për të influencuar në mbështetjen e një partie politike ose kandidati në zgjedhje, nëpërmjet mos ushtrimit të funksionit me paanësi sipas ligjit, pjesëmarrjes në veprimtari politike të një partie politike ose kandidati në zgjedhje, me kryerjen e çdo veprimi ose dhënien e urdhrave, këshillave apo çdo lloji tjetër propagande që favorizon një parti politike ose kandidat në zgjedhje, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në pesë vjet.”
Më lejoni t’ju bëj me dije se Policia e Shtetit është në monitorim të rreptë prandaj i ftoj të gjithë punonjësit e saj që të respektojnë çdo gërmë të ligjit përndryshe masat do të jenë proporcionale me shkeljet e kryera.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



