E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, shkarkon Geraldina Prodanin
Lajme

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, shkarkon Geraldina Prodanin

Shkarkimi i Sekretares së Përgjithshme: Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, vepron nën urdhër të Edi Ramës


Dy javë pas marrjes së detyrës, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, ka nënshkruar Urdhrin Nr. 1347, datë 14.8.2024, për të shkarkuar nga detyra dhe larguar nga ministria Sekretaren e Përgjithshme, Gelardina Prodani. E njohur si simbol i korrupsionit dhe vjedhjeve brenda qeverisë “Rilindja,” shkarkimi i saj ka qenë i imponuar nga kryeministri Edi Rama, i cili më parë e kishte mbrojtur nga ndëshkimi, pavarësisht akuzave të shumta.

Për vite, Prodani ka qenë një figurë e fuqishme në disa ministri, duke vepruar si ministre “de facto.” Megjithatë, hetimet e SPAK lidhur me aferën e koncesionit të sterilizimit të pajisjeve mjekësore, ku ajo është e përfshirë që nga koha kur ishte Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë, e kanë detyruar Ramën të ndërmarrë këtë veprim.

Një nga aferat më të mëdha që ka përfshirë Prodanin është ndryshimi i kostos së koncesionit të sterilizimit, duke shtuar fiktivisht 45 milionë euro mbi vlerën e kontratës dhe duke ulur numrin e seteve kirurgjikalë për të rritur fitimet. Totali i vjedhjeve përllogaritet në 70 milionë euro.

Prodanin e ndjekin edhe hetimet për pronat e ushtrisë dhe tenderët në Ministrinë e Mbrojtjes, ku dyshimet për manipulime dhe keqpërdorim të fondeve publike janë të shumta. Në veçanti, një tender për marrjen me qira të dy avionëve nga Gjermania, që nuk arritën kurrë në Shqipëri, por për të cilët u pagua paradhënie 4 milionë euro, është një tjetër aferë skandaloze.

Krahas shkarkimit të Prodanit, edhe ministra të tjerë kanë bërë ndryshime në stafet e tyre, si ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, dhe ministri i Financave, Petrit Malaj, duke shkarkuar dhe transferuar sekretarët e tyre. Megjithatë, disa emra si Besmir Beja dhe Risena Xhaja janë lëvizur mes ministrive, duke ruajtur pozicionet e tyre të larta.

SPAK pritet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm duke proceduar penalisht dhe marrë të pandehur Gelardina Prodanin, e cila për 13 vite me radhë ka pasur pushtet absolut si Sekretare e Përgjithshme në ministri të ndryshme. Një tjetër aspekt i hetimit është vlerësimi i pasurisë së saj të shumtë, të siguruar nga pazaret me pasuritë publike, përfshirë prona në Tiranë, Durrës, Korçë, Shëngjin, Lalz dhe bregdetin jugor.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.