Ministrja kosovare tregon bilancin e shkëmbimit energjetik: I dhamë Shqipërisë 127 mijë MWh, po i marrim më pak se 1 mijë për t’i evituar reduktimet
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka treguar bilancin e shkëmbimit energjetik mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Rizvanolli ka thënë se KEK i ka dhënë KESH-it 121.7 MWh, ndërsa sot ka marrë 1 mijë MWh për evitimin e reduktimeve.
“KEK deri sot i ka dhënë KESH-it 121.7 mijë MWh. Sot po marrim më pak se 1 mijë MWh për të evituar reduktimet. Këto janë rezultatet e prekshme për qytetarët kur ne bashkëpunojmë!”,shkruan Rizvanolli.
Edhe vitin e kaluar, Kosova është prekur nga kriza energjetike, prandaj konsumatorët janë përballur me reduktime dhe shtrenjtim të tarifave. Dy termocentralet në Obiliq, Kosova A dhe B mund të prodhojnë energji deri në 800 megavat në orë, kurse nevojat e konsumatorëve, gjatë dimrit, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë.
Në Kosovë, rreth 94 për qind e energjisë prodhohet nga djegia e thëngjillit, ndërsa rreth 6 nga burimet e ripërtërishme sikurse hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet diellore. /Telegrafi
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



